Raporti i ngjarjeve, 2 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi të saj janë të angazhuara maksimalisht për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Vlorë.

I vuri zjarrin një sipërfaqe toke me ullinj dhe bimësi të ndryshme,në fshatin Radhimë, vihet në pranga 36-vjeçari.

Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe Stacioni i Policisë Orikum, u bë ndalimi i shtetasit:  

-S. S., 36 vjeç, banues në Orikum, me precedent penal në fushën e narkotikëve.    

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke me 300 pemë ulliri dhe 6 hektarë me shkurre dhe bimësi të ndryshme, në fshatin Radhimë.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan doza  lënde narkotike marijuanë.     

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.  

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. M., 68 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi ditën e djeshme, në ambientet e një salle ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ka prishur qetësinë në sallë duke folur me zë të lartë dhe ka goditur me disa sende, anëtarin e këshillit bashkiak, shtetasin L. R.;

-B. K., 44 vjeç, banues në fshatin Tregan, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.   

-Më datë 01.07.2024, rreth orës 14:00, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në një kasolle në pronësi të shtetasit N. B.. Si pasojë e zjarrit është djegur baza ushqimore. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Shkodër/Kërkime intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor, më datë 02.04.2024, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, arrestohet në Shkodër, 24-vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.

I ndaluari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte.

Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër.

Për këtë shtetas Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.

24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Sarandë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.  

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Strike 16”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.  

U kap në flagrancë me armë zjarri kallashnikov me vete, vihet në pranga 29-vjeçari.        

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 16”. 

Si rezultat i operacionit, u vu në pranga shtetasi M. H., 29 vjeç, banues në Delvinë, pasi u kap në flagrancë me armë zjarri me vete, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, në afërsi të fshatit Bajkaj.

Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.     

Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. Gj., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin L. K., 52 vjeç dhe po punojnë për kapjen e shtetasit E. K., 23 vjeç (babë e bir), të dy banues në Bathore, pasi dyshohet se kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin F. M., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.  

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Dibër/Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.

Kapet dhe ndalohet një 52-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Dibrës me 8-muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Strukturat e Policisë të DVP Dibër, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore,  mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit G.B., 52 vjeç, banues në Bulqizë,  pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjthshëm Dibër, e ka dënuar me 8-muaj burgim për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”. Ky shtetas në vitin 2010, teksa mbante detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin,  ka vendosur dërgimin për miratim të dy kërkesave për leje ndërtimi, të kërkuara nga dy shtetas.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.

Bulqizë/Kontrolle intensive dhe goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, po kryhen në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.

Mbante armë zjarri në banesë, vihet në pranga 30-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.

Si rezultat i administrimit të informacioneve të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin R.Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Sopot, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të banesës së 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 24 copë fishek, si dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 33 shtetas janë vënë në pranga, 44 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, janë vënë në pranga 6 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, janë vënë në pranga 4 shtetas, janë shpallur në kërkim 2 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste. 7 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve me funksione publike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me 3 shtetas në total, të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për raste të mëparshme janë ndaluar:

-1 shtetas për shpërdorim detyre;

-2 shtetas për dhunim të banesës;

-1 shtetas për moskallëzim të krimit.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.