Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një takim me Komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare të Spanjës

Policia e Shtetit

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga zhvilloi një takim me Komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare të Spanjës, z.Luis Fernando Pascual Grasa, i cili shoqërohej në këtë takim nga Drejtori i Brigadës Qendrore kundër Krimit të Organizuar, Oficeri Ndërlidhës, me seli në Bullgari, i cili mbulon dhe Shqipërinë, si dhe nga Oficeri Ndërlidhës i Policisë Spanjolle i Ambasadës Spanjolle në Shqipëri.

Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi mbi bashkëpunimin e deritanishëm, çështjet në intres në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar dhe mundësia për të zgjeruar këtë bashkëpunim në të ardhmen në kuadër të implementimit të projekteve rajonale.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet spanjolle dhe vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjes së fundi, mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Spanjës, do t’i japë një shtysë thellimit të bashkëpunimit operacional në luftën e përbashkët kundër krimit, veçanërisht narkotikëve, duke krijuar një grup hetimor të përbashkët, të specializuar në luftën kundër drogës.

Gjithashtu, evidentoi rezultatet e arrira në kuadër të operacionit “NOMADA”, një segment i të cilit u mbyll me sukses para pak ditësh, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të thellohet me tej në të ardhmen.

Ndërkohë, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm dhe risolli në vëmendje suksesin më të fundit të arrirë në kuadër të operacionit “NOMADA”, si dhe rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar së fundi mes palëve, e cila do të ndikojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve.

Përsa i përket bashkëpunimit në të ardhmen, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale theksoi se shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes palëve është shumë i rëndësishëm dhe imediat, pasi është vendimtar në ecurinë e hetimeve, si dhe ndarja e informacioneve për shtetas shqiptar në hetim në Spanjë dhe e vendimeve gjyqësore të tyre, në mënyrë që pala shqiptare të kryejë paralelisht hetimin pasuror.

Nga ana e tij, Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare të Spanjës shprehu falënderimet dhe vlerësimet për bashkëpunimin e deritanishëm mes palëve dhe vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar së fundi, mes dy ministrive të Brendshme, si një hap të rëndësishëm që do të thellojë bashkëpunimin mes palëve.

Në vijim të takimt, z.Luis Fernando Pascual Grasa dhe Drejtori i Brigadës Qendrore kundër Krimit të Organizuar informuan mbi projektin pilot që do zhvillohet në drejtimin e Spanjës, me financim nga BE-ja, në kuadër të luftës kundër krimit, ku propozohet edhe pjesëmarrja e palës shqiptare, duke atashuar një oficer për këtë projekt.

Në përfundim të takimit palët ndanë të njëjtin mendim, se bashkëpunimi mes vendeve është një detyrim për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Në këtë drejtim duhet punuar ngushtë me hetime dhe operacione të përbashkëta dhe duke shkëmbyer informacion në kohë reale.

Ndërkohë Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi nismën e ndërmarrë, e cila do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit dhe ecurinë e hetimeve të përbashkëta dhe njëherazi, ritheksoi se bashkëpunimi mes palëve në të ardhmen do të rritet, duke siguruar se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë partner serioz, profesional dhe i besuar i Spanjës dhe i të gjithë partnerëve.