Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë/Vijon intensivisht megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve, gjenden në fshatin Armen dhe asgjësohen 168 bimë narkotike cannabis sativa.
Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve.
Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë gjetën në fshatin Armen, në një sipërfaqe toke të mbjellë me misër, 168 bimë narkotike cannabis sativa.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta policore, u identifikua dhe u arrestua pronari i tokës, njëkohësisht autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, shtetasi E. A., 51 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Peqin/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet pas një hetimi disajavor, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Katërkëndshi”.
Sekuestrohen armë zjarri pistoletë, armë gjuetie, armë sportive, municion luftarak, predhë, thikë, kokainë dhe 2 traga automjeti false.
Arrestohet në flagrancë 43-vjeçari që i kishte fshehur ato, në ambientet në pronësi të tij.
43-vjeçari, anëtar i një grupi kriminal, i dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.
Gjatë operacionit u zbulua se ky shtetas kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të çdo forme tjetër të shfaqes së tyre, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Katërkëndshi”. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një 43-vjeçar që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish) ku si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Më tej, shërbimet e Policisë zbuluan se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme, kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë shtetasit I. M., 43 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve”.
Gjithashtu, për këtë rast, u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
PKK Rinas/Intensifikimi i kontrolleve, parandaloi një tentative për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Itali
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skanimi”. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i armës (shtetas kosovar).
Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizen e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara për shkak të fluksit në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e Sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Skanimi”, në kuadër të të cilit u godit një tentativë për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Itali.
Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga, në dalje të Shqipërisë, shtetasi kosovar D. G., 23 vjeç, banues në Pejë.
Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në çantën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste- 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast vjedhjeje, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i krimeve kibernetike, falsifikimit, vetëgjyqësisë, shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit, braktisjes së fëmijës së mitur, keqtrajtimit të te miturit, ngacmimit seksual, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.