Raporti i ngjarjeve, 19 qershor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Kukës

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një shtetase që u konstatua e pajetë në vendin e quajtur “Shtrazë”, në bregun e liqenit të Fierzës, ju informojmë se u bë i mundur identifikimi i shtetases E. A., 30 vjeçe, banuese në Pojan, Korçë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, gjenden dhe asgjësohen 5737 fidanë cannabisi.

Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar të kultivimit në malin e Shoshit, të 835 prej këtyre fidanëve.

Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të fidanëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:

-në malin e Shoshit u gjetën 835 fidanë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore, u identifikua, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të këtyre fidanëve, shtetasi M. L., 29 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri;

-në njësitë administrative Shosh, Shalë, Pult dhe Postribë, u gjetën në total 4902 fidanë cannabisi. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre fidanëve.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, 6 prej tyre, raste kultivimi, me autorë ende të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, janë vënë në pranga 2 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për 2 rastet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i krimeve ekonomike, falsifikimit, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë dhe përndjekjes, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.