Raporti i ngjarjeve, 6 qershor 2024

 Raporti i ngjarjeve, 6 qershor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Dibër – Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sllova”, sekuestrohen 2 armë zjarri dhe municion luftarak. Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe e kanosi se do ta vriste, me armë zjarri,  arrestohet në flagrancë 50-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas njoftimit për një shtetas në fshatin Vleshë,  që po dhunonte bashkëshorten dhe po e kanoste se do ta vriste me armë zjarri, që ai i mbante në banesë pa leje, në kuadër dhe të operacionit “Sundimi i Ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sllova”, ku u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale. Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R. H., 50 vjeç, banues në fshatin Vleshë, njësia Administrative Sllovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e ka kanosur se do ta vriste me armë zjarri. Gjatë kontrollit në ambientet e banesës së 50-vjeçarit, janë gjetur të fshehura në murin rrethues të banesës dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 5 krehra dhe 267 municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Sekuestrohen 19 kg kanabis, vihen në pranga 4 shtetas. Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe në zbatim të masave të planeve operacionale “Tempulli 3”, dhe “Sundimi i ligjit” ka organizuar dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve G. H., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”; A. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; S. G., 54 vjeç, dhe O. B., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kasem Shima”, një automjet tip “Benz”, dhe gjatë të tij, në bagazh, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 19.30 kg, ndërsa shtetasi G. H., gjatë ndërhyrjes, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K., shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi. Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste– 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 janë shpallur në kërkim dhe 4 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 5 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e tjera 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste – 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Shpërdorimi i detyrës” – 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.