Raporti i ngjarjeve, 5 qershor 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit/Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, operacioni policor i koduar “Wanted”. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. I shumëkërkuari, pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 2011. Në banesën ku u kap në flagrancë, në Fier, Policia gjeti dhe sekustroi 4 armë zjarri, municion luftarak dhe antiplumb. Si rezultat i informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, dhe i kontrolleve të kryera për kapjen e tyre, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjatë operacionit, u kap në një banesë në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vu në pranga shtetasi Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç. Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba. Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 40 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me autorë ende të paidentifikuar.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste – 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste. 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste – 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përndjekja”- 1 shtetas është arrestuar, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” – 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar një rast në fushën e lojërave të fatit- 1 shtetas është arrestuar në flagrancë.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 11 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.