Raporti i ngjarjeve, 31 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 7”.

I akuzuar nga Gjykata e Riminit, për 3 vepra penale kundër personit dhe pronës, kapet në Laç dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, 30-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 7”, kapi në Laç dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar D. M., 30 vjeç, i lindur në fshatin Gurëz, Kurbin.

Gjykata e Riminit, Itali, me vendimin e datës 25.08.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, pasi akuzohet se në muajin korrik, 2023, ka përndjekur ish të dashurën, i ka djegur me benzinë automjetin, si dhe ka organizuar shtetas të tjerë që kanë dhunuar këtë shtetase dhe partnerin e saj.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

Krujë

Komisariati i Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka vijuar kontrollet në terren.

Gjatë kontrolleve në fshatin Mafsheq u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivim, ku u gjetën 28 bimë cannabisi të mbjella dhe 116 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis, gati për t’u mbjellë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.    

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

Qarku Shkodër/Vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Nga kontrollet intensive të territorit, asgjësohen në Postribë dhe në Velipojë, 4621 bimë dhe fidanë cannabisi.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i kultivimit në Velipojë.

Procedohet në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, kryetari i njësisë administrative Postribë.

Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentuan dhe goditën 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në Postribë, gjetën dhe asgjësuan 2946 bimë narkotike dhe 1385 fidanë në kubikë. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e njësisë administrative Postribë, shtetasin R. M., 34 vjeç;

-shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në fshatin Baks, gjetën dhe asgjësuan 290 bimë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore, u identifikua, kap dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, shtetasi A. T., 43 vjeç., banues në Velipojë.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Durrës

Vodhi 3 biçikleta, gjatë muajit maj, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje. 

Sekuestrohen veshje që autori i përdorte kur kryente vjedhje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes, Komisariati i Policisë Durrës ka zbardhur 3 raste të vjedhjes së biçikletave, të kryera gjatë muajit maj, në qytetin e Durrësit.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua autori i dyshuar, shtetasi S. T., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje që ky shtetas i përdorte gjatë vjedhjeve. 

Vijon puna hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi S. T.

Materialet procedurale i kaluan Porkurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 2 shtetas janë ndaluar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fyerja”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.