Policia e Shtetit
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas informacionit të marrë nga institucione ligjzbatuese, referoi materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj shtetasve A. M., K. S., E. L., A. Gj., V. B., S. H., A. Z., I. Ç. dhe E. Ç., si dhe ndaj subjekteve “M. A. ShPK”, “F. ShPK” dhe “A. A. ShPK”.
Referimi i kësaj vepre penale ka lidhje me dyshimin se shtetasit dhe subjektet e siperpërmedura kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë te huaj, të depozituara në banka të nivelit të dytë, si dhe obligacione të ndryshme, të cilat ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjate ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar.
Vepra penale lidhet me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm, duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.
Nga informacioni i grumbulluar, dyshohej se shumat e depozituara, mund t’i tjetërsonin me qëllim shmangien e konfiskimit të tyre.
Në bazë të referimit të dërguar Prokuroria pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin nr.3624/2024, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nisur nga fakti që këto shuma monetare dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale dhe mund të transferohen apo të fshihen, është bërë sekuestrimi i llogarive bankare me vlerë rreth 10 milionë euro.