Raporti i ngjarjeve, 29 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Qarku Shkodër/Vijon megaoperacioni kombëtar anticannabis i koduar “Territor i pastër”.

Kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim  evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në këtë fazë të megaoperacionit u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Komisariati i Policisë Vau i Dejës dhe 2 njësi të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjella në tokë.

Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjella në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellë në tokë).

Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë cannabisi të mbjella në tokë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimore, gjatë këqyrjes së vendngjarjeve, kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

DVP Tiranë

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pakti”. 

Gjatë operacionit u ndalua shtetasi K. K., 60 vjeç, banues në Norvegji, për veprën penale “Mashtrimi”.   

Ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shuma të ndryshme parash, nga disa shtetas, të cilëve iu kishte premtuar se do t’iu siguronte kontrata pune dhe do t’i bënte aksionerë në një biznes në Norvegji.          

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 28.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:

-S. B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 08 maj, në lidhje me protestën e datës 07 maj 2024.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. B., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas (njëri prej tyre punonjës i firmës).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se ishte vjedhur sasia e karburantit, nga kamioni i një firme ndërtimi, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe, bazuar në provat e siguruara, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Storm 21”. Si rezultat, u bë identifikimi dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasve:

S. M., 65 vjeç, dhe M. K., 26 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi S. M. (drejtues i kamionit të firmës së ndërtimit), vidhte sasi karburanti nga kamioni i firmës, në bashkëpunim me shtetasin M. K. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 40 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-1 rast i veprëas penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Për 1 shtetas të akuzuar për veprën penale “Ngacmimi seksual”, ka filluar procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.