trukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë/Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes së armëve, pa leje.
Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Strike 13”.
Policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në lagjen “29 Nëntori”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 13”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. H., 39 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Opel”, me të cilin lëvizte 39-vjeçari, dhe kanë ushtruar kontroll, gjatë të cilit, në pjesën e kroskotit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshmshe, operacioni policor i koduar “Fusion”.
Kishte përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, shpallet në kërkim 19-vjeçari.
Vihet në pranga menaxherja e qendrës së masazheve së bashku me një punonjëse, procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fusion”.
Si rezultat i tij:
u arrestuan në flagrancë shtetaset M. K., 26 vjeçe, (menaxherja) A. B., 19 vjeçe, (punonjëse).
▪u proceduan në gjendje të lirë shtetaset R. S., 28 vjeçe dhe K. K., 19 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve, dhe shtetasi D. O., 49 vjeç, banues në Tiranë;
▪u shpall në kërkim shtetasi M. M., 19 vjeç.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. M., administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Nikolla Jorgo”, me menaxhere shtetasen M. K., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Kavajë
U kapën në flagrancë duke kryer punime për ndërtimin e paligjshëm të një moli, në plazhin e Golemit, vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen 1 kamion dhe 1 ekskavator.
Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 1 rast të kësaj paligjshmërie, në Golem.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan shtetasit:
F. A., 54 vjeç, banues në Shijak, i proceduar penalisht më parë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, G. L., 48 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, Durrës, dhe A. Gj., 35 vjeç, banues në Golem.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë duke kryer punime, pa lejen e organeve kompetente, për ndërtimin e një moli afër stacionit të plazhit në pronësi të shtetasit F. A.
Vijojnë kontrollet dhe verifikimet për të konstatuar dhe goditur raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, si dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe/Vijojnë me intensitet kontrollet në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve, goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gruemirë.
Sekuestrohen 373 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, bimë narkotike në proces tharjeje dhe një sasi municioni luftarak.
Identifikohet autori i dyshuar dhe vijon puna për kapjen e tij.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në fshatin Gruemirë, gjetën të mbjella 321 fidanë dhe 52 bimë narkotike. Gjithashtu, në këtë territor, në ambientet e objekti në pronësi të shtetasit P. C., u gjetën disa bimë narkotike në proces tharjeje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore për këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar, shtetasi P. C., 49 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike. Për njërin prej tyre vijojnë hetimet, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i krimeve kibernetike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprave penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Mosdhënia e mjeteve për jetesë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.