Raporti i ngjarjeve, 24 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vau i Dejës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Equal”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.    

Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, kapen në flagrancë dhe arrestohen 2 shtetas të cilët gjatë një konflikti të çastit, në një lokal, kanosën njëri-tjetrin, me armë zjarri.   

Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, ditë e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një konflikt të çastit në një lokal në fshatin Bushat, mes 2 shtetasve të cilit kishin kanosur njëri-tjetrin, me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Equal”, për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.           

Gjatë operacionit u kapën në flagrancë në lokal dhe u arrestuan shtetasit G. T., 26 vjeç, banues në Bushat,  dhe A. P., 32 vjeç, banues në fshatin Stajkë.   

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit automatik dhe arma e zjarrit pistoletë, bashkë me sasi municioni luftarak, që posedoheshin pa leje nga këta 2 shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.   

Tiranë/Goditet një grup kriminal që trafikoi armë zjarri nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 10 armë zjarri.  

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.

Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusëzh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.   

Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.

Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.      

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga dhe 57 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidenetifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me autorë ende të paidentifikuar;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Fyerja” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 11 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.