Raporti i ngjarjeve, 23 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Territor i pastër. Evidentohen dhe asgjësohen 1967 bimë të dyshuara kanabis.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariateve në varësi, në vijm të kontrolleve në terren, duke përdorur dhe dronë të cilësisë së lartë, bazuar dhe në inteligjencën  policore, evidentuan dhe goditën 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjatë kontrollit në territorin e fshatit Bardhaj, evidentuan 1876 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të mbjella në tokë, të cilat u asgjesuan me anë të djegies. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për kryetarin e fshatit Bardhaj, shtetasin A. F., 39 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.     

Ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Vaut i Dejës, gjatë kontrollit në territorin e fshatit Vasijaj, bashkia Vau i Dejës, evidentuan 91 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të mbjella në tokë, të cilat u asgjesuan me anë të djegies.  

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.       

Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në vijim të megaoperacionit “Territor i pastër” ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim B. M., 37 vjeç. Gjithashtu, pas konsultimit me prokurorin, proceduan në gjendje të lirë vëllanë e tij, shtetasin N. M., 42 vjeç. 

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim  në kuadër të fazës së parë të megaoperacionit “Territor i pastër”, si rezultat i të cilit, u goditën 11 raste të kultivimit të bimëve narkotike, u asgjësuan 19 300 fidanë cannabisi, si dhe u sekuestruan 97 kg cannabisi (në trajtë çokollate dhe boçeje), 2160 fara cannabisi dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Policia Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin L. K., 46 vjeç, banues në Lushnjë, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar. Nga përplasja ka dëme të vogla materiale.

Komisariati i Policisë Divjakë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. L., banues në Divjakë, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Stacioni i Policisë Roskovec referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 28 vjeç, banues në Roskovec, pasi për shkak të një konflikti me një shtetas tjetër, i ka dëmtuar atij, automjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “LIABILITY-3”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të kryer me metoda speciale të hetimit. 

Gjatë këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë:  

-“Arrest në burg”, për shtetasit A. D., 35 vjeç, A. G., 36 vjeç, E. M., 51 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;

-“Arrest në shtëpi”, për shtetaset K. S., 36 vjeçe, E. I., 42 vjeçe, A. T., 39 vjeçe, dhe J. D., 35 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.

Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasit A. K., 43 vjeç, banues në Tiranë. 

Këta shtetas, duke qenë me detyrë përmbarues gjyqësor privat, kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë iu ka hequr atyre, licencën për ushtrimin e detyrës si përmbarues gjyqësor.      

3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera.  

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Lezhë/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.

Finalizohen brenda 24 orëve, në Rrëshen dhe në Kurbin, 3 goditje kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në operacion u përfshinë komisariatet e Policisë Mirditë dhe Kurbin, Forca e Posaçme Operacionale e DVP Lezhë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu, procedohen penalisht për shpërdorim të detyrave, 2 kryetarë fshatrash dhe 1 specialist pyjesh.

Asgjësohen rreth 2706 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.

•Komisariati i Policisë Mirditë, në kuadër të një hetimi 1-mujor, me metoda proaktive, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, goditi një rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 41 vjeç, banues në fshatin Zheje, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;

K. D., 33 vjeç, banues në Laç, me detyrë Operator i Zyrës së Shërbimeve për Qytetarët, në Komisariatin e Policisë Kurbin, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, ka informuar autorët e kësaj veprimtarie kriminale, për lëvizjet e Policisë.

Në vijim të këtij operacioni u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e shtetasit të arrestuar E. K., shtetasit A. Z. alias I. L. alias I. L., 39 vjeç, banues në fshatin Sanxhak dhe G. L., 33 vjeç, banues në fshatin Vinjollë.

Nga hetimet dyshohet se të tre këta shtetas kanë kultivuar 1900 bimë narkotike dhe 650 fidanë narkotikë (në kubikë), në afërsi të përroit të Karmës, në fshatin Përshqesh.

Gjithashtu, për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin P. Ll., 62 vjeç, kryetar i fshatit Përshqesh dhe për shtetasin Gj. L., 58 vjeç, specialist pyjesh në fshatin Orosh.

•Në Kurbin, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në inteligjencën policore, në pyjet e fshatit Shëmri, Kurbin, gjetën 3 parcela ku ishin kultivuar 151 bimë narkotike cannabis sativa.

Si rezultat i hetimeve u identifikuan organizatorët e këtij rasti kultivimi, shtetasit S. B., 46 vjeç dhe A. B., 35 vjeç, vëllezër, të dy banues në Kurbin.  Në vijim u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 46-vjeçarit, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit A. B..

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shëmri, shtetasin B. K., 52 vjeç.

•Më tej, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, në Milot, gjetën disa bimë të tjera narkotike cannabis sativa, si dhe identifikuan dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të kultivimit të tyre, shtetasin A. K., 24 vjeç.

Megaoperacioni kombëtar “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë

Kreu disa vjedhje, gjatë 2 javëve të fundit, në fshatin Pluk, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të punës për dokumentimin e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në kallëzimet e disa qytetarëve, për vjedhje të kryera ditët e fundit, kanë vënë në pranga shtetasin M. G., 34 vjeç. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë 2 javëve të fundit, ky shtetas ka vjedhur 1 motomjet, shuma parash, produkte ushqimore dhe celularë, në disa banesa dhe dyqane, në fshatin Pluk.   

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 34-vjeçari, i cili është dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 41 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike- me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të shpërdorimit të detyrave, me 5 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Dhunimi i banesës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Për raste të mëparshme të veprave penale:

-“Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, është ndaluar 1 shtetas;

-“Heqja e paligjshme e lirisë”, është ndaluar 1 shtetas dhe ka filluar procedimi në gjendje të lirë për 1 tjetër.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.