Komisariati i Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, pas një hetimi njëmujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, ka finalizuar operacionin e koduar “Cover”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit H. K., 62 vjeç, dhe A. K., 32 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Krujë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar dhe kanë përshtatur disa vende të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Brret. Gjatë kontrollit në një pjesë të pyllëzuar të fshatit Brret, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 30 bimë të dyshuara narkotike cannabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1060 fara të dyshuara narkotike kanabisi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.