Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Piranjat”, ju bëjmë me dije se:
DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizoi punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit të përmendur në video.
Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit K. Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar personave nga vendet e treta, të cilët janë futur ilegalisht në vendin tonë, transportimin nga Tirana në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7280 euro, 10 pasaporta të dyshuara të falsifikuara, karta sim, 2 USB, 6 karta krediti, mandate arkëtimi me shuma të ndryshme, dhe 2 vula.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.