Raporti i ngjarjeve, 10 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjirokastër

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, kalim të paligjshëm të kufirit. 

Operacioni i koduar “Delta 2” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me DVKM Gjirokastër dhe me shërbimet e Frontex-it.  

Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Mëngjesin e sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Dragotit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një furgon tip “Benz”, që drejtohej nga ky shtetas. Nga kontrollet në këtë automjet u konstatuan 30 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët 32-vjeçari po i transportonte në drejtim të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin ilegalisht kufirin.         

Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të shtetasit D. H., i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte furgoni, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.    

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Shkodër/Vijon me intensitet plani operacional policor, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Ngarkesa”.

Transportonte me furgon, rreth 900 kubikë dhe vazo me fidanë cannabisi, me qëllim kultivimin, arrestohet në flagrancë, në aksin rrugor “Hani i Hotit-Shkodër”, 24-vjeçari.

Në pranga dhe 3 bashkëpunëtorët e 24-vjeçarit, të cilët monitoronin rrugën ku kalonte furgoni.

Asgjësohen kubikët dhe vazot me fidanë, si dhe sekuestrohen 2 automjetet tipe “Mercedes Benz” dhe 4 celularë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Qarkullimit Rrugor dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Shkodër, të mbështetur në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit N.N., 24 vjeç dhe N.N., 26 vjeç, vëllezër, të dy banues në fshatin Postribë, si dhe shtetasit S.L., 21 vjeç dhe I.L., 30 vjeç, vëllezër, të dy banues në Shkodër.

Në furgonin që drejtonte 24-vjeçari u gjetën rreth 900 kubikë dhe vazo me fidanë cannabisi, të cilat po transportoheshin me qëllim kultivimin. 3 shtetasit e tjerë u kapën në flagrancë, teksa monitoronin me automjet, aksin rrugor ku kalonte furgoni, për të shmangur shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Komisariati i Policisë Durrës:

-U arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij;

-U ndalua shtetasi në kërkim L. L., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Sektori i Policisë Rrugore:

-U arrestua shtetasi A. X., 56 vjeç, banues në Kavajë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;  

-U arrestua shtetasi T. Xh., 51 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shëngjin

Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë mëngjesin e djeshëm, për shtetasin E. F., 28 vjeç, i cili humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga lartësia e pallatit ku po punonte, në Shëngjin, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë shpallën në kërkim, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:

-L.N., 51 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës për ndërtimin e pallatit;

-M.B., 51 vjeç, banues në Tiranë, sipërmarrës i punimeve;

-L.H., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i firmës së ndërtimit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i kryenin ndërtimet në pallat, të papajisur me dokumentacionin e duhur. Gjithashtu, dyshohet se nuk kishin marrë masat për sigurimin e rregullave të mbrojtjes në punë, dhe si pasojë ka rënë aksidentalisht, nga lartësia e pallatit, gjatë procesit të punës, shtetasi E. F..

Më tej, në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Lezhë, punëtor i firmës së ndërtimit.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, 2 prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Prishja e qetësisë publike”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Fyerja”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për organizimi të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe për moskallëzim të krimit, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.