Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Krujë
Komisariati i Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën policore, ka finalizuar operacionin e koduar “Monitorimi”.
Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. S., 55 vjeç, dhe M. M., 23 vjeç, të dy banues në Mukje, Krujë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në dy parcela në pyllin e fshatit Mukje, Krujë. Gjatë kontrollit në këto parcela, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një krehër arme dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Vau i Dejës/Operacione policore të njëpasnjëshme për të goditur që në fazë fillestare kultivimin e bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Seeds”. Sekuestrohen 1000 fara cannabisi.
Kapet në flagrancë, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, 37-vjeçari që synonte t’i shiste farat, me qëllim kultivimin.
Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve e DVP Lezhë, kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin K. M., 37 vjeç, banues në Lezhë.
Nga kontrolli fizik i kryer në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, këtij shtetasi iu gjetën 1000 fara cannabisi, të cilat i posedonte për t’i shitur, me qëllim kultivimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 30 shtetas janë vënë në pranga, 71 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 2 raste të mëparshme në këtë fushë, janë ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Për 2 raste të mëparshme në këtë fushë, janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 3 raste të mëparshme në këtë fushë, janë ndaluar 4 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 8 raste. 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 11 raste, 4 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 1 shtetas është ndaluar dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 17 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vetëgjyqësisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimine gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Trafikimi i mjeteve motorike, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Dhunimi i banesës” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
3 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, janë kapur dhe ndaluar.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.