Shkodër/Përfundon operacioni për gjetjen e trupave të 2 fëmijëve dhe të nënës së tyre, në lumin Buna

Shkodër/Përfundon operacioni për gjetjen e trupave të 2 fëmijëve dhe të nënës së tyre.

Prej orëve të mbrëmjes së datës 04.05.2024, menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të vajzës 9 vjeçe të shtetasve E. A. dhe A. A., nga një peshkatar i zonës, shërbimet e Policisë së Shkodrës, ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, polumbarët e RENEA-s dhe banorë të zonës që njihnin terrenin, u përfshinë në operacion për gjetjen e trupave të 2 fëmijëve të tjerë dhe të nënës së tyre, të cilët dyshohej se ishin vetëmbytur në lumin Buna.

Në operacionin që zgjati deri në orën 15:00 të datës 07.05.2024, u përfshinë edhe polumbarët dhe Policia Kufitare e Malit të Zi, pas kërkesës së bërë nga Ministri i Brendshëm, për ndihmë për të kontrolluar në territorin e Malit të Zi.

Si rezultat i kërkimeve të pandërprera në lumin Buna, nga polumbarët e RENEA-s, kontrolleve me mjete lundruese nga grupi i kërkim-shpëtimit i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, dhe shërbimet e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me banorët e zonës, u bë e mundur gjetja e trupave të 2 fëmijëve, 8 vjeç dhe 3 vjeç.

Operacioni i kërkimit ka vijuar për gjetjen edhe të trupit të 39-vjeçares, nënës së tre fëmijëve. Si rezultat i kontrolleve nga polumbarët dhe shërbimet e Policisë Kufitare të Malit të Zi, u bë e mundur gjetja e trupit të shtetases A. A., 39 vjeçe, në ujrat e lumit Buna, në fshatin Luarzë.

Grupi i posacëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, mesditën e sotme, ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e bashkëshortit të 39-vjeçares, shtetasit E. A., nga Policia e Shkodrës, dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.