Raporti i ngjarjeve, 4,5,6,7 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Cërrik 

Vodhi një shumë parash në një banesë dhe më pas tentoi të vidhte në një banesë tjetër, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.        

28-vjeçari, i dënuar më parë për vepra penale në fushat e vjedhjes, narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. 

Komisariati i Policisë Cërrik, pas marrjes së denoncimit për vjedhjen e një shume parash në një banesë, në fshatin Shushicë, Cërrik, ka organizuar punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Xh. S., 28 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Cërrik.       

Ky shtetas dyshohet se mëngjesin e djeshëm, ka vjedhur 420 euro në banesën e një 67-vjeçari. Një pjesë e parave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.   

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, pasi ka kryer këtë vjedhje, ka tentuar të vjedhë edhe në një banesë tjetër, në fshatin Shushicë.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Qafë Thanë

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Restart”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Vihet në pranga 46-vjeçari, që dyshohet se do trafikonte me automjet lëndë narkotike, drejt Maqedonisë së Veriut.

Sekuestrohen 53.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe dy celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore disamujore, të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planeve operacionale kombëtare ,”Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me DVKM Korçë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Restart”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. G., 46 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë, gjetën në automjetin tip “Volksëagen” që ky shtetas drejtonte, 53.3 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Sasia e drogës, e cila dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy celularë dhe automjetin.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastito dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

PKK Port, Vlorë

Tentoi të fuste në Shqipëri, 30 000 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 44-vjeçari.

Sekuestrohet shuma e eurove.

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Vlorës, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin M. A..

Nga kontrollet, në kroskotin e këtij automjeti u gjetën 30 000 euro, të cilat shtetasi M. A. tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.    

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. A., 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.  

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. 

Durrës

Të implikuar në një rast prostitucioni, që kryhej në ambientet e një pallati në lagjen nr. 4, procedohen penalisht 4 shtetas (shqiptarë dhe të huaj).

Sekuestrohen 3 pasaporta, 5 celularë dhe shuma parash të valutave të ndryshme të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prostitucionit. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasin R. G., 20 vjeç, banues në Durrës, si dhe për shtetasit N. B., 56 vjeç, T. S., 28 vjeçe dhe A. P., 36 vjeçe (me shtetësi amerikane dhe bjelloruse).

Të 4 shtetasit u kapën në ambientet e një pallati në lagjen nr. 4, teksa shfrytëzonin për prostitucion ose ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Krujë

Komisariati i Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën policore, ka finalizuar operacionin e koduar “Plant 2”.

Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 39 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas, ka kultivuar bimë narkotike në dy parcela në pyllin e fshatit Picrragë, Krujë. Gjatë kontrollit në këto parcela, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 23 bimë të dyshuara narkotike kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”.

Shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme të Vlorës, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Sekuestrohen 90 doza të lëndës narkotike kokainë, si dhe 2 celularë dhe 1 automjet të të arrestuarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte droga të forta, me qëllim shitjen në doza, kanë organizuar punën dhe si rezultat, kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. H., 41 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dhjetëra doza të lëndës narkotike kokainë, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.    

Theth, Shkodër

Po ndërtonin pa leje, 5 objekte që do të përdoreshin për turizëm në Theth, procedohet penalisht 1 shtetas dhe punohet për kapjen e 1 tjetri.

Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat turistike dhe në ato urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Theth, të mbështetura te informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 2 raste të kësaj paligjshmërie.

Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. H., 74 vjeç banues në fshatin Theth, dhe u shpall në kërkim shtetasi S. M., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Në Theth, 74-vjeçari, kryente punime për ndërtimin e 2 objekteve prej druri, ndërsa 25-vjeçari, kryente punime për ndërtimin e 3 objekteve. 5 objektet do të përdoreshin për qëllime turistike.

Kontrollet dhe verifikimet për të parandaluar, konstatuar dhe goditur paligjshmëritë në fushën e ndërtimeve, vijojnë 24/7, në të gjithë territorin e qarkut.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës/Kontrolle intensive me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e  krimeve kundër mjedisit.

Ndërtuan pa leje, në zona të ndryshme të qarkut, procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas.

Komisariati i Policisë Kukës, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, ka evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj paligjshmërie, për të cilat nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. A., 62 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, pasi u konstatua duke ndërtuar një objekt, pa leje, në këtë fshat;

-U. M., 59 vjeç dhe Rr.M., 30 vjeç, banues në fshatin Kodër Lumë, pasi u konstatuan duke vijuar pa leje, punimet për ndërtimin e një objekti.

Në vijim, Komisariati i Policisë Tropojë ka evidentuar dhe goditur 2 raste të ndërtimeve të paligjshme, për të cilat nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit A. Ç., 46 vjeç dhe E. Ç., 61 vjeç, banues në fshatin Sopot, pasi u kapën duke ndërtuar objekte, pa leje, në këtë fshat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

DVP Elbasan

I mori një shumë parash, me anë të mashtrimit, administratorit të një biznesi, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale që u kryen menjëherë pas kallëzimit të administratorit të një biznesi në fshatin Qukës, Librazhd, se ishte mashtruar nga një shtetas, për dhënien e një shume parash, kanë organizuar punën, dhe si rezultat kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të rastit, shtetasin K. P., 32 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas, dyshohet se më datë 02.05.2024, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, shtetasit F. Rr., 56 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, të kryer në bashkëpunim me stukturat e Policisë Lezhë, janë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë), të cilat do të dërgohen për ekzaminime.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikim e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 96 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 261 shtetas, konkretisht: 58 shtetas janë vënë në pranga, 184 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 19 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 35 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 40 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 15 raste – 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 21 raste, 9 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste – 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 27 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-8 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;

-3 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 2 raste të fyerjes, 2 raste të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe 2 raste të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale shkaktimi i vetëvrasjes dhe ngacmimi seksual, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Përndjekja”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prostitucioni”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Dhunimi i banesës”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 17 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar për kalim të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, është kapur.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 19 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 22 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 57 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 20 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 38 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.