Vendosen në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, eshtrat e 5 efektivëve të Policisë së Shtetit

NJOFTIM PËR SHTYP

Vendosen në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut eshtrat e 5 efektivëve të Policisë së Shtetit

Në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, dhe të 80-vjetorit të Çlirimit të Vendit, për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të punonjësve të policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës, u zhvillua ceremonia për vendosjen në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut të eshtrave të 5 efektivëve të Policisë së Shtetit, Zylfi Sulmataj, Qazim Duka, Lulëzim Sadikaj, Edmond Cuka dhe Selman Lena.

Në ceremoninë e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë, të mbetjeve mortore të ish-punonjësve të Policisë së Shtetit, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, morën pjesë ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit, z. Nasip Naço, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut dhe përfaqësues të misioneve të huaja policore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u shpreh, në fjalën e tij, se është detyrë e Policisë së Shtetit të kujtojë e lartësojë gjithnjë figurën e Dëshmorëve të Atdheut, sepse gjaku i derdhur dhe sakrifica e tyre sublime nuk mund dhe nuk do të harrohen.

“Akti i vendosjes së eshtrave të Zylfi Sulmatajt, Qazim Dukës, Lulzim Sadikajt, Etmond Çukës dhe Selman Lenës në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë, ashtu si Benedik Brahja në qytetin e Durrësit, mund ta lehtësojë disi dhimbjen e madhe të familjarëve për babain, djalin e vëllain e munguar, por jam i sigurt se nuk mund ta shuajë atë. Boshllëku i krijuar është aty, çdo mëngjes e çdo mbrëmje, në çdo ditëlindje e festë familjare, në çdo vështirësi e vendim të vështirë, kur të dashurit tuaj nuk janë”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, duke iu drejtuar familjarëve të ish-punonjësve të policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi familjarët e të rënëve se, te Policia e Shtetit do të gjejnë gjithnjë një derë të hapur për të trajtuar çdo nevojë e kërkesë.

“Ne jemi familja juaj e madhe dhe ju siguroj se dhimbja e të gjithë organizatës së Policisë së Shtetit për kolegët që nuk janë më, me të cilët kemi ndarë aq shumë sfida, në përpjekje për të luftuar krimin dhe vendosur rend e siguri, kthehet çdo ditë në energji për të përmbushur misionin tonë. Nderimi që shteti u bën sot Zylfiut, Qazimit, Lulzimit, Etmondit dhe Selmanit na jep mundësinë të gjithëve të kujtojmë dhjetëra e dhjetëra të rënë me uniformën e Policisë së Shtetit. Sakrifica e tyre meriton respekt, por është ky momenti për të përsëritur mesazhin se, uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

Ai shtoi se, “kushdo që do të guxojë ta cenojë uniformën e policisë, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore”.

Përfaqësues të familjeve të Dëshmorëve të Atdheut falënderuan Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për vlerësimin e bërë për të rënët.

Gjithashtu, në Varrezat e Dëshmorëve në Durrës u zhvillua ceremonia e nderimit të ish-punonjësit të policisë, Benedik Brahja.

#5Maji#dëshmorët#rend#siguri