Raporti i ngjarjeve, 25 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

PKK Hani i Hotit

Policia Kufitare e Hanit të Hotit ndaloi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Polonia, të dënuar për vjedhje dhe krime në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Poloni, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, shtetasi polak Jan Stanek, 61 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Poloni e kanë dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për vjedhje dhe krime në fushën e narkotikëve.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e 61-vjeçarit, në Poloni.

Korçë

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional antidrogë “Tempulli 2”, finalizoi operacionin e koduar “Sinjali”.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që transportonin me qëllim shitjen, 3 thasë me rreth 12.5 kg cannabis sativa.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit K. Sh., 29 vjeç, banues në fshatin Voskop dhe H. M., 38 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi.

Nga kontrolli në automjetin tip “Audi”, që drejtonte 29-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi H. M., shërbimet e Policisë gjetën 3 thasë me rreth 12.5 kg cannabis sativa. Lënda narkotike që po transportohej me qëllim shitjen, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjeti tip “Audi” dhe me një shumë eurosh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Elbasan/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Forca e Posaçme Operacionale e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Komisariati i Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin Fjodor Berati, 35 vjeç, banues në Elbasan. Ai ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi:

-Gjykata e Elbasanit, me vendimin e  datës 10.04.2019, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në ambient publik dhe “Prishja e qetësisë publike”;

-Gjykata e Kukësit, me vendimin e datës 05.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 32 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste– 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera vjedhjesh.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vetëgjyqësisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Dhunimi i banesës”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Për raste të mëparshme të veprave penale:

-“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, janë ndaluar 3 shtetas;

-“Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, është ndaluar 1 shtetas;

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, është ndaluar 1 shtetas.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.