Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga banorë të lagjes nr. 17, se 2 shtetas po ndotnin ambientin dhe po shkaktonin zhurmë, gjatë pastrimit të një apartamenti në këtë lagje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në zonë, për të zgjidhur shqetësimin e banorëve dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit përgjegjës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për shtetasit Xh. K., 19 vjeç dhe E. C., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.
2 shtetasit, pasi kanë pastruar një apartament në lagjen nr. 17, kanë hedhur nga ballkoni i tij, moblilje, qese dhe materiale të tjera. Si pasojë, është shkaktuar zhumë dhe është ndotur mjedisi në këtë lagje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Kuçovë
-Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Izet Marra, 65 vjeç, banues në fshatin Kozare. Gjykata e Apelit e Tiranës, me vendimin e datës 28.03.2024, e ka dënuar këtë shtetas, me 8 muaji burgim, për veprën penale “Deklarata të rreme përpara Prokurorit”.
-Nga të njëjtat shërbime u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. S., 70 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë, një 52-vjeçar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Port Durrës
Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, Policia Kufitare Durrës, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, finalizoi operacionin policor të koduar “Porta”.
Gjatë operacionit është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi italian Roberto Basco, 59 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Provinciale e Madridit, Spanjë, me vendimin e datës 19.09.2019, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 1 vit e 5 muaj burgim.
Më datë 26.02.2019, në aeroportin e Madridit, n¬ë valixhet e shtetasit Roberto Basco, janë gjetur 7 pako me lëndë narkotike kokainë (me peshë totale rreth 5.6 kg), që i kishte sjellë nga Kolumbia, me qëllim shitjen.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i kërkuar për vepra në këtë fushë, është kapur.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janëë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vetëgjyqësisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit shtetëror, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, është kapur.