Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë, finalizohet operacioni policor i koduar “Versus”.
I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, kapet në Gjermani, pas shkëmbimit të informacionit mes palëve, dhe arrestohet me qëllim ekstradimi në Shqipëri, 41-vjeçari.
Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga DVP Tiranë dhe shkëmbimin e tyre në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i përbashkët, i koduar “Versus”.
Në kuadër të këtij operacioni, është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen, Gjermani, dhe është arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar V.(V.) K., 41 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S.
Vijon puna për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Shqipëri.