Raporti i ngjarjeve, 17 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 5”.

Operacioni, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Pjesëtar i një grupi kriminal, në Itali, për trafikim të Heroinës, lokalizohet në Kavajë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 46-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 5”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 2”, finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Flash”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. 

Vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen sasi lënde narkotike heroinë, e ndarë në doza gati për shitje, sasi lënde narkotike kokainë, dhe shuma parash, të dyshuara të përftuara nga shitja e lëndës narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, dhe ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 2”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Flash”.

Si rezultat i tij u bë arrestimi i shtetasve B. K., 42 vjeç, dhe E. Gj., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. Gj., shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe heroinë, të cilën e kishte blerë nga shtetasi B. K. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi lënde narkotike heroinë, të ndarë në doza gati për shitje dhe shumë parash, të dyshuara të përftuara nga shitja e lëndës narkotike.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. K., pasi siguronte lëndën narkotike, e ndante atë në doza të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës/Operacione policore të njëpasnjëshme për të parandaluar dhe goditur që në fazë fillestare, tentativat për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i një hetimi disajavor, finalizohet operacioni policor i koduar “First step”. Sekuestrohen 2000 fara cannabisi.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i farave, i cili synonte t’i shiste ato, me qëllim kultivimin.

Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, pas informacioneve nga inteligjenca policore, për goditjen e një rasti të posedimit të farave të cannabisit që do të shiteshin me qëllim kultivimin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës finalizuan operacionin policor të koduar “First step”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi T. (T.) M., 47 vjeç, banues në Gjirokastër.

Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, 2000 fara cannabisi, të cilat synonte t’i shiste me qëllim kultivimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 39 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Përndjekja” dhe “Ngacmimi seksual”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Fyerja”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Peshkimi i ndaluar”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Mashtrimi”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.