DVP Korçë
Ekzekutohen masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për 4 funksionarë të bashkisë Korçë.
Masat e sigurisë, rezultat i hetimit të ndjekur për 16 muaj, nga Policia dhe Prokuroria e Korçës, mbi akuza për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim të krimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas një hetimi intensiv 16-mujor, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, ekzekutuan masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasit:
-Zh. L., 61 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, në bashkinë Korçë, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-E. Gj., 52 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, në bashkinë Korçë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-O. P., 37 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Specialist Buxheti në këtë drejtori, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-S. P., 44 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në bashkinë Korçë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 26.03.2024, ka caktuar këto masa sigurie për 4 shtetasit, sepse dyshohet se kanë shpërdoruar detyrat për të favorizuar subjekte të ndryshme, për mospagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Nga hetimet rezulton se kjo paligjshmëri iu ka sjellë subjekteve përfitime të padrejta monetare dhe i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë mbi 30 milionë lekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.