Gjirokastër – Procedohen penalisht 3 shtetas

Gjirokastër

Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet 1 rast i kontrabandës së medikamenteve.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Y., 47 vjeç, banues në Cakran, Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, në vijën e dytë, në dalje, u gjetën dhjetëra paketime me medikamente, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisën procedimet në gjendje të lirë për 2 shtetas të moshës 17 vjeç, njëri banues në Përmet, tjetri banues në Dervician, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.