Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me 1 rast të publikuar mbrëmjen e sotme tek emisioni “Stop” ku shtetasi A. Dh., pretendon për një masë administrative të padrejtë, që i është vendosur atij nga shërbimet e Patrullës së Rendit të Komisariatit të Policisë Korçë, ju sqarojmë se:
Më datë 26.01.2024, në orën 16:00, punonjësi i policisë i planizuar me shërbim në hyrje të Komisariatit Korçë, është njoftuar nga qytetari A. Dh., se automjeti privat i Shefit të Seksionit të Rendit të Komisariatit të Policisë Korçë M. J., i kishte zënë vendin e parkimit. Ndërkohë automjeti ishte i parkuar brenda tabelës që lejon parkimin e automjeteve për institucionin dhe përpara një dere të një qytetari tjetër (vend ku parkojnë gjithmonë mjetet e institucionit) duke mos penguar hyrjen në banesë të pjestarëve të familjes, pasi ata nuk disponojnë automjet.
Pas njoftimit të bërë, shtetasi A. Dh., kishte parkuar automjetin e tij, direkt pas automjetit (me ngjyrë të kuqe) të Shefit të Rendit, duke penguar lëvizjen e automjeteve në këtë segment rruge. Punonjësi i Policisë ka kërkuar qytetarin që të paraqitej për ta lëvizur automjetin e tij, por ky i fundit nuk ka dalë për të hequr mjetin. Ndodhur në këto kushte, punonjësi i patrullës i ka vendosur shtetasit A. Dh., masë administrative në vlerën 3000 lekë, pasi kishte pushuar automjetin në rrugë kalimi për mjetet.
Më pas shtetasi A. Dh., ka postuar në rrjete sociale një video ku pretendonte për vendin e parkimit dhe për vendosjen e padrejtë të masës administrative, e cila nuk përkonte me orën 16:13, kur ishte vendosur gjoba dhe as me pozicionimin e dy mjeteve, i cili është si në fotot e mëposhtme.
Në lidhje me postimin në rrjetet sociale dhe tjetërsimin e së vërtetës, Shefi i Seksionit të Rendit, ka depozituar në gjykatë një padi për shpifje në ngarkim të shtetasit A. Dh., në lidhje me tjetërsimin që ai i ka bërë rastit me publikimin në rrjetet sociale.