Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Himarë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Case”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale të prostitucionit.
Operacioni, rezultat i një hetimi disajavor me metoda proaktive, të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës.
Shfrytëzonte bashkëjetuesen e tij 18 vjeçe, për prostitucion, kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari.
Procedohen në gjendje të lirë 18-vjeçarja dhe 1 shtetas tjetër i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Nga një hetim disajavor me metoda proaktive, i kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, u siguruan prova për një rast të veprimtarisë kriminale të prostitucionit. Në bazë të këtyre provave u finalizua operacioni policor i koduar “Case”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. P., 43 vjeç, banues në Borsh, Hmarë.
Ky shtetas dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion, bashkëjetuesen e tij 18 vjeçe.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 18-vjeçaren që ushtronte këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës, si dhe për një shtetas tjetër të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Loja”.
Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 4 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loja”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit D. S., 48 vjeç, E. H., 46 vjeç dhe K. A., 38 vjeç, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte në Tiranë, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, i cili dyshohet se ka fyer nëpërmjet telefonit, ish-bashkëshorten e tij, të pajisur me urdhër mbrojtjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
-Në vijim të informacionit të dhënë më datë 03.04.2024, për largimin nga banesa të një 16-vjeçari (rast i kallëzuar nga nëna e tij, shtetasja E. B.), ju informojmë se shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e të miturit dhe dorëzimin tek nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
-Ditën e djeshme, rreth orës 12:00, në spitalin e Lushnjës, është dërguar për mjekim, shtetasi F. L., 77 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Divjakë, i cili dyshohet se kishte konsumuar Fotoksinë. Si pasojë, 77-vjeçari ka humbur jetën. Po punohet për të dokumentuar me prova ligjore shkakun e vdekjes.
DVP Elbasan/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin S. V., 57 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 56 vjeç, banues në Peqin, pasi mesditën e djeshme, në rrugën rurale të fshatit Gjocaj, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, banues në Gramsh, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, pasi gjatë kontrollit në dyqanin ku tregtonte bimë medicinale, rezultoi se nuk ishte i pajisur me kasë fiskale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 60 vjeç, banues në fshatin Shtërmen, pasi ka kanosur një 49-vjeçar, nëpërmjet telefonit, për motive të dobëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Më datë 04.04.2024, rreth orës 20:20, në Spitalin Rajonal Gramsh, është paraqitur për të marrë mjekim shtetasi B. T., 50 vjeç, banues në Gramsh. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në gjendje të dehur, aksidentalisht ka rënë nga një lartësi rreth 3 metra. 50-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Vlorë
Angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i disponojnë ato.
Finalizohet nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Delta Force, operacioni policor i koduar “Strike 9”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Vihet në pranga një 42-vjeçar që qëlloi me armë zjarri në ajër, në Karaburun, duke rrezikuar banorët e zonës.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në Karaburun, në vendin e quajtur “Gallolec”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri që e mbante pa leje në stanin e tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 9”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. J., 42 vjeç, banues në fshatin Dukat.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në Karaburun, në afërsi të stanit të tij, duke rrezikuar banorët e zonës. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në këtë zonë kanë gjetur të fshehur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 65 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar dhe 1 shtetas tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për raste të mëparshme.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kallëzimi i rremë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Dhunimi i banesës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 1 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.