Raporti i ngjarjeve, 4 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjirokastër/Lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vijim të kontrolleve të imtësishme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të megaoperacionit policor “Sundimi i ligjit”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve kanë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht: 

-si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec është lokalizuar dhe kapur shtetasi B. R., 38 vjeç, banues në Lazarat, i cili ishte shpallur në kërkim pasi më datë 14.10.2019, Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;  

-si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë është lokalizuar dhe kapur shtetasi A. R., 21 vjeç, banues në Lushnjë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Delta”, i zhvilluar më datë 28.03.2024;

-si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj është lokalizuar dhe kapur shtetasi Xh. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Krahës, Tepelenë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Furnitori”, i zhvilluar më datë 08.03.2024.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.  

Dibër/Vijon zbatimi i planit operacional mbarëkombëtar, i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

I dënuar nga Gjykata e Dibrës, me 2 vjet burgim, për falsifikim të dokumenteve për zhdoganimin e një automjeti, ndalohet 50-vjeçari.

Ndalimi i 50-vjeçarit, në PKK Rinas, në tentativë për të hyrë në Shqipëri, ndërkohë që ishte në kërkim.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të punës, ndërmjet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Rinas, për një shtetas që tentonte të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte në kërkim, u bë i mundur ndalimi i tij, konkretisht i shtetasit Sefer Agasi, 50 vjeç.

Gjykata e Dibrës e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Në vitin 2016, ai ka paraqitur në PKK Bllatë, dokumente false, me qëllim zhdoganimin e një automjeti.

Shtetasi Sefer Agasi do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vuajtjen e dënimit.

Prrenjas

Finalizohet operacioni policor i koduar “Border Crossing”. Evidentohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve nga RMV-ja në Shqipëri.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 33-vjeçari që dyshohet se ka trafikuar armët, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohet se trafikonte armë nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Border Crossing”.

Gjatë operacionit, në fshatin Skroskë, u lokalizua shtetasi Sh. Ç., i cili kishte me vete, 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai i kishte trafikuar armët, nga RMV-ja në vendin tonë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Ç., 33 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit Sh. Ç., si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialitët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Sh. B., 50 vjeç, banues në Paskuqan, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, në kompaninë nënkontraktore në administrim prej tij, e cila mbulon punimet në një objekt te Kodra e Diellit, duke punuar ka rënë nga lartësia shtetasi S. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

-Xh. D., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke qenë në gjendje të dehur, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar në banesën e bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje, dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj;

-A. M., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj nipit të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. H., 20 vjeç, banues në Kombinat, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesë i gjetën një përforcues grushti.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

-A. Sh., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga;

-A. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 të shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, janë ndaluar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim për vjedhje të kryera më parë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve me funksione publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Përndjekja”, “Kallëzimi i rremë” dhe “Dhunimi i banesës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kompjuterike, për të cilin vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/t.

2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprat “Përndjekja”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 9 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 23 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.