Raporti i ngjarjeve, 3 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, kapet dhe vihet në pranga një 55-vjeçar, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Verdikti”.

Operacioni, rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer me Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – Divizioni i 2-të, Romë.

I ndaluari në Matera, në vitin 1997, në Rubik, vrau me kallashnikov, pas një konflikti për motive të dobëta, kunatin dhe motrën e tij.

Në vijim të operacioneve ndërkombëtare, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë me partnerët, me objektiv lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në Matera, Itali, si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, me Policinë e Materas, shkëmbim i kryer me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – Divizioni i 2-të, Romë, u finalizua operacioni policor i koduar “Verdikti”.

Gjatë këtij operacioni, u lokalizua dhe u arrestua me qëllim esktradimin në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar ndërkombëtarisht Gjovalin Lesi, 55 vjeç, i lindur në Rubik.

Gjykata e Mirditës, në vitin 1998, e ka dënuar shtetasin Gjovalin Lesi, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Më datë 21.10.1997, në Rubik, pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka vrarë më armë zjarri kallashnikov, kunatin dhe motrën e tij, përkatësisht shtetasit A. Gj. dhe M. Gj..

Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e 55-vjeçarit, në Shqipëri.

Vlorë

Përndoqi një 38-vjeçare dhe e kanosi atë nëpërmjet telefonit, kapet dhe vihet në pranga 21-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, pas kallëzimit nga një 38-vjeçare se një shtetas i kishte shkaktuar ankth dhe pasiguri, pasi e kishte përndjekur dhe e kanoste se do të publikonte disa foto intime të saj, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi.   

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale është kapur dhe ndaluar shtetasi G. M., 21 vjeç, banues në Vlorë.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.  

Lezhë/Vijojnë me intensitet të lartë planet operacionale mbarëkombëtare “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, operacioni policor i koduar “Gurra”.

Mbante në banesë 7 maska dhe 4 armë të ftohta, si dhe shpërndante doza cannabisi, vihet në pranga 45-vjeçari. 

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas të dyshuar të implikuar në disa veprimtari kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Gurra”.

Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. K., 45 vjeç, banues në Lezhë.

Nga kontrolli fizik i kryer ndaj shtetasit E. K., në lagjen “Gurra”, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Më tej, në banesën e këtij shtetasi, në të njëjtën lagje, gjetën 7 maska, të cilat dyshohet se posedoheshin për qëllime kriminale, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.

Në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të provuar plotësisht veprimtarinë kriminale të shtetasit E. K..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon përshkallëzimin e një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet adoleshentëve.

Arrestohet një 17-vjeçar dhe procedohen në gjendje të lirë një 16-vjeçar dhe një 14-vjeçar, të implikuar në konflikt.

Sekuestrohet një mjet prerës (thikë), me të cilin i arrestuari, gjatë konfliktit, dëmtoi lehtë 16-vjeçarin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 20:30, të datës 02.04.2024, për një konflikt ndërmjet disa adoleshentëve, në lagjen “Syrja Dylgjeri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bënë të mundur parandalimi i përshkallëzimit të këtij konflikti dhe arrestimi i një 17-vjeçari të përfshirë në të. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 të mitur 14 dhe 16 vjeç, po ashtu të implikuar në konflikt.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, 17-vjeçari i arrestuar ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) 16-vjeçarin dhe ka dhunuar fizikisht 14-vjeçarin, ndërsa këta të fundit e kanë goditur atë, me send të fortë (shkop prej druri).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizohet operacioni policor i koduar “White”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

U kap në flagrancë duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë, në automjet, vihet në pranga 38-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për zbatimin e masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “White”. 

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën “Frang Bardhi”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. T. dhe gjatë kontrollit në çantën e tij të dorës, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 2 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të mëparshme.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të mëparshme në këtë fushë;

-nga 1 rast i veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përndjekja” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Kallëzimi i rremë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Dhunimi i banesës”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 8 viktima dhe 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.