Raporti i ngjarjeve, 29 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

PKK Qafë Prush

Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet në Gjermani, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale në fushën e mashtrimit, arrestohet me qëllim ekstradimin, 34-vjeçari nga Kosova. 

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht:

-P. A., 34 vjeç, banues në Pejë.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Landshut i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtimi”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.

Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambiente të përshtatura për lojëra fati. 

Zbulohen 2 lokale të tjera të përshtatura për lojëra fati të ndryshme.

Sekuestrohen 15 pajisje të ndryshme elektronike që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.

Për 2 rastet e goditura, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 2 të tjerëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale në fshatrat Varibop dhe Drizë, Fier, organizoheshin lojëra fati të ndryshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin e goditur në fshatin Varibop, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. L., 43 vjeç, banues në Varibop dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin A. M., 21 vjeç, banues në fshatin Kallm i madh, bashkëpronarë të lokalit. 

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin e goditur në fshatin Drizë, është shpallur në kërkim shtetasi D. R., 36 vjeç, si dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen B. R., 35 vjeçe, të dy banues në fshatin Zhupan.

Gjatë kontrolleve në këto 2 lokale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 6 tableta, 2 kompjuterë, 2 laptopë, 1 monitor, 1 DVR, 1 celular, 2 kasa që shërbejnë për printimin e biletave dhe 9 bileta sportive. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “California”. 

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar. 

Vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “California”.  

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit  S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.

Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Memaliaj

Mbrëmjen e djeshme, qëlloi me armë zjarri në ajër, për të kanosur 2 shtetas, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Gjendet arma e zjarrit (pushkë), të cilën 41-vjeçari e fshehu në një zonë të pyllëzuar, dhe sekuestrohet bashkë me municion luftarak.

Menjëherë pas njoftimit të marrë më datë 28.03.2024, rreth orës 19:30, se në fshatin Qesarat, ishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit/ëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Memaliaj.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri (pushkë), në ajër, me qëllim kanosjen e shtetasve A. Z., 54 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të dy banues më fshatin Anë Vjosë. Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat.

Arma e zjarrit u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2.

Vihet në pranga një tjetër shpërndarës i dozave të lëndës narkotike cannabis sativa.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe i punës së inteligjencës policore, që po kryhen në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë evidentuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike.

Në aksin rrugor “Lezhë-Kallmet”, shërbimet e Policisë ndaluan për kontrolle, automjetin tip “Audi” me të cilin lëvizte shtetasi A. R.. Nga kontrollet, në këtë automjet u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, të gatshme për shitje.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. R., 40 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. 

Kurbin/Vijojnë kontrollet për të parandaluar, konstatuar dhe goditur krimet kundër mjedisit.

Finalizohet operacioni i koduar “Excavation”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e IKMT, Lezhë.

Sekuestrohen 1 kamion dhe 1 ekskavator me të cilët gërryhej në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat dhe transportoheshin dherat e përfituara në kundërshtim me ligjin.

Arrestohet në flagrancë administratori i biznesit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda. Gjithashtu, për këtë veprimtari të kundërligjshme, ai u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë.

Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve 24/7, të mbështetura të puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin e rrethit, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e IKMT, Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Excavation”.

Në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat, shërbimet e Policisë konstatuan se 2 mjete të rënda, ekskavator dhe kamion, punonin për marrjen e dherave në këtë zonë, në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u identifikua dhe u vu në pranga administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi F. F., 38 vjeç, banues në Lezhë. Gjithashtu, për këtë shkelje, 38-vjeçari u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të mëparshme në këtë fushë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, në fushën e falsifikimit, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 2 shtetas të vënë në pranga.

Janë ndaluar: 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”; 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.