Fier – Zbulohen 2 lokale të tjera të përshtatura për lojëra fati të ndryshme

Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambiente të përshtatura për lojëra fati.

Zbulohen 2 lokale të tjera të përshtatura për lojëra fati të ndryshme.

Sekuestrohen 15 pajisje të ndryshme elektronike që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.

Për 2 rastet e goditura, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 2 të tjerëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale në fshatrat Varibop dhe Drizë, Fier, organizoheshin lojëra fati të ndryshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin e goditur në fshatin Varibop, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. L., 43 vjeç, banues në Varibop dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin A. M., 21 vjeç, banues në fshatin Kallm i madh, bashkëpronarë të lokalit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin e goditur në fshatin Drizë, është shpallur në kërkim shtetasi D. R., 36 vjeç, si dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen B. R., 35 vjeçe, të dy banues në fshatin Zhupan.

Gjatë kontrolleve në këto 2 lokale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 6 tableta, 2 kompjuterë, 2 laptopë, 1 monitor, 1 DVR, 1 celular, 2 kasa që shërbejnë për printimin e biletave dhe 9 bileta sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.