Raporti i ngjarjeve, 28 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër/Plan operacional për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Luarza 1”, i organizuar nga shërbimet e Postës së Policisë Velipojë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me ato të DVP Shkodër.

Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Sekuestrohen 37 336 kubikë me fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Identifikohen 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Kapet dhe arrestohet njëri prej tyre, si dhe vijon puna për kapjen e tjetrit.

Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional policor për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Luarzë, ishin mbjellë në kubikë, fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, me qëllim kultivimin në tokë, shërbimet e Postës së Policisë Velipojë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luarza 1”.

Si rezultat i operacionit, në këtë territor u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 37 336 kubikë me fara dhe fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Më tej, gjatë operacionit, si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi N. L., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. L., 48 vjeç.

Vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”.

I hoqën lirinë një 68-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësise penale të 2 autorëve.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.  

DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Delta”. Goditet një tjetër rast i transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve.

Bashkautorë për transportimin kundrejt pagesave, të 8 emigrantëve nga India, arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe punohet për kapjen e një tjetri.

Sekuestrohen 3 automjete tipe “Benz” dhe “Audi”, të përdorura për këtë veprimtari të kundërligjshme, si dhe 2 celularë.

Si rezultat i ndjekjes së shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 3 shtetas do të kryenin në mënyrë të organizuar, transportimin e disa emigrantëve, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufijve, specialistët e strukturave për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacionale dhe të Policisë Rrugore organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Delta”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P., 22 vjeç dhe E. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. R., 21 vjeç, të tre banues në Lushnjë.

3 automjeteve që drejtonin këta shtetas iu është bërë shenjë për të ndaluar, në aksin rrugor “Tepelenë-Krahës”. Drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat është bërë e mundur kapja e dy 22-vjeçarëve. Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte shtetasi E. K. dhe në atë që drejtonte shtetasi A. R. u gjetën në total 8 emigrantë nga India, ndërsa nga hetimet dyshohet se shtetasi i arrestuar K. P. kontrollonte rrugën për të sinjalizuar prezencën e Policisë. 

Punohet për kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. R..

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 22 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin të cilin ky shtetas rezultoi se e drejtonte pa leje drejtimi, u gjetën dhe sekuestruan disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë. 

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. G., 26 vjeç dhe A. A., 27 vjeç, pasi gjatë kontrolleve fizike, shërbimet e Policisë iu kanë gjetur dhe sekuestruar doza lënde të dyshuar narkotike cannabis.      

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Komisariatit të Policisë Sarandë ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, të datës 13.03.2024, për ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim M. M., 47 vjeç, banues në Sarandë, ish-drejtor i ASHK Sarandë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin në gjendje të lirë për shtetasit:

V. Gj., pasi dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, 3 bazamente me beton dhe struktura hekuri, në Lukovë; 

G. I., pasi dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, 3 objekte me material hekuri, në Borsh.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin S. M.,  24 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 41 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. Për  rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 5 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër është ndaluar për një rast të mëparshëm të kësaj vepre;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetase të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale në fushën e krimeve ekonomike, vjedhjes së energjisë elektrike, shpërdorimit të detyrës, keqtrajtimit të kafshëve dhe fyerjes, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, është kapur.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 1 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.