Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë/Shtohen kontrollet për të parandaluar dhe goditur krimet kundër mjedisit.
U kap në flagrancë teksa priste dru në fshatin Tragjas, në kundërshtim me ligjin, vihet në pranga 39-vjeçari, i cili rezultoi në kërkim, i dënuar me burgim për kanosje.
Sekuestrohet sasia e druve të prera prej tij.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në fshatin Tragjas, kanë kapur në flagrancë duke prerë dru, në kundërshtim me ligjin, shtetasin A. F., 39 vjeç, banues në Korçë.
Nga verifikimet rezultoi se 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendimin e datës 07.11.2023, e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Kanosja”.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.
Tiranë
Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.
Kapen dhe vihen në pranga, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, dy shtetas të shpallur në kërkim për mashtrim dhe vepra penale në fushën e narkotikëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara:
-në Unazë të Re, u kap dhe ndalua shtetasi E. C., 35 vjeç, banues ne Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar 35-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, per veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-në Kashar, u kap dhe ndalua shtetasi Gj. L., 44 vjeç, banues ne Tiranë, shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”.
Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Berat
Aksidentoi me pasojë vdekjen një këmbësor 65 vjeç, u largua nga vendi i aksidentit dhe fshehu automjetin, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 69-vjeçari.
Gjithashtu, gjendet dhe bllokohet automjeti tip “Nissan” që drejtonte i arrestuari.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Berat, si rezultat veprimeve intensive dhe të shpejta hetimore, të kryera për zbardhjen e rrethanave të një aksidenti me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 21.03.2024, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin B. K., 69 vjeç, banues në Berat.
Automjeti tip “Nissan” që drejtonte ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 19:40, në vendin e quajtur “Ura e Salillarit”, ka përplasur këmbësorin, shtetasin S. H., 65 vjeç, banues në Berat, i cili ditën e sotme humbi jetën në Spitalin e Tiranës.
Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i aksidentit dhe ka fshehur automjetin në qytetin e Dimalit.
Policia gjatë kontrolleve, ka gjetur dhe ka bllokuar automjetin e tij tip “Nissan”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tentativa”, për të parandaluar një rast vjedhjeje.
U kap në flagrancë, gjatë tentativës për të vjedhur një automjet, arrestohet 28-vjeçari.
Ky shtetas, i dënuar më parë për të njëjtin krim.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Policisë Plazh, pas njoftimit se në lagjen nr. 13, po tentohej të vidhej një automjet, është finalizuar operacioni policor i koduar “Tentativa”.
Gjatë operacionit u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit H. Z., 28 vjeç, banues në fshatin Rrashbull.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çelës fiktiv, me të cilin 28-vjeçari tentonte të kryente vjedhjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.
Operacioni, për goditjen e tentativave për sigurimin e farave të cannabisit, me qëllim kultivimin.
Sekuestrohen 1100 fara cannabisi, 1 armë gjahu, 20 fishekë, 2 radio si të Policisë dhe 1 automjet.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i farave të cannabisit.
Në pranga dhe një shtetas tjetër që posedonte në banesë, 2 radio si të Policisë, 1 armë gjahu pa leje dhe municion luftarak.
Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen “Vasil Shanto”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit A. D., 34 vjeç dhe L. Gj., 32 vjeç.
Nga kontrollet në automjetin që drejtonte 32-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. D., shërbimet e Policisë gjetën 1100 fara cannabisi që posedoheshin nga drejtuesi i automjetit, me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e pasagjerit që ndodhej në automjetin ku u gjetën farat e cannabisit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu, 20 fishekë dhe 2 radio si të Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli 2”.
Finalizohet nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, operacioni policor i koduar “Stacioni”.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi A. D., 36 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga kontrollet në automjetin që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje në zona të ndryshme të qytetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Mirditë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja”.
Operacioni, rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, pas kallëzimit për një rast vjedhjeje rreth mesnatës, në Rrugën e Kombit.
I vodhi me dhunë, në rrugë, xhiron ditore, faturinos së autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë”, kapet dhe arrestohet 25-vjeçari.
Gjendet dhe sekuestrohet shuma 675 euro që vodhi ky shtetas.
Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 31 vjeç, faturino i autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë”, se rreth mesnatës, një shtetas e kishte goditur në kokë, për t’i marrë çantën e brezit, me para në të, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar autorin.
Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Linja”, shërbimet e Policisë, të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit E. D., 25 vjeç, banues në Laç.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 675 €, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
DVP Korçë/Tentuan të vrisnin me mjete të forta një 30-vjeçar, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Korçës.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera, për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2024, në lagjen nr. 16, Korçë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 4 autorëve të dyshuar të saj, pas kontrolleve të shumta dhe falë negociatave të kryera nga forcat e Policisë me familjarët e tyre, këta shtetas u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, u ndaluan me iniciativë shtetasit në kërkim S. S., 32 vjeç, K. S., 31 vjeç, M. Xh., 40 vjeç dhe E. G., 49 vjeç, banues në Korçë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një lavazh, për motive të dobëta dyshohet se tentuan të vrisnin me mjete të forta shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet për mjekim në spital. Konflikti mes tyre, ka ndodhur pasi më datë 14.02.2024, shtetasi R. H., së bashku me vëllain e tij, kanë plagosur lehtë dhe i kanë dëmtuar automjetin, 32-vjeçarit S. S.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Sarandë/Zbardhet vjedhja në një lokal në fshatin Krane.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes së disa produkteve, në lokalin e shtetasit Th. D., në fshatin Krane, Finiq, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin B. B., 38 vjeç, banues në Delvinë.
Ndërkohë, vijon puna për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Sh., 33 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje, në lokalin që administronte në lagjen “Ndoc Mazi”. Më tej, nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 33-vjeçari fshihte të ardhurat nga ky biznes dhe kishte punonjës të pasiguruar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. K., banues në Shkodër, pasi ka bërë kallëzim një 25-vjeçar, se ky shtetas e ka kanosur nëpërmjet telefonit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Qitësit”.
Mbanin armë zjarri (kallashnikov) pa leje dhe kryenin qitje gjatë natës, me qëllim postimin e videove në TikTok, vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohet penalisht 1 i mitur.
Në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi në banesë iu gjet një tjetër armë zjarri (pushkë).
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 2 krehra, rreth 500 fishekë luftarak, 8 celularë dhe 2 automjete.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, si dhe pas monitorimit të vazhdueshëm të rrjeteve sociale, ku disa të rinj postonin video në të cilat shfaqeshin duke kryer qitje me armë zjarri, gjatë natës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Qitësit”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Nj. S., 56 vjeç dhe M. S., 19 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Rrushkull, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit “;
-K. P., 19 vjeç, K. J., 20 vjeç, A. T., 18 vjeç, A. H., 19 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, në vijim të operacionit, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
7 të rinjtë e arrestuar/proceduar u kapën në flagrancë pas sigurimit të informacionit, se ata po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.
Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve Nj. S. dhe M. S., ku u kap 56-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 96 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 270 shtetas, konkretisht: 85 shtetas janë vënë në pranga, 170 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 15 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 4 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 28 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje, është kapur. Më tej, janë kryer 2 tentativa për vrasje, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 13 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 28 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 11 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 34 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 32 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste- 9 shtetas janë vënë në prang dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 22 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-14 raste të mosbindjes/kundërshtimit punonjësve të ngarkuar me funksione publike, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të vënies së basteve sportive, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i kërkuar për këtë vepër penale, është ndaluar;
-3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Fyerja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja”, “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 54 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 23 shtetas janë vënë në pranga dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.