Durrës
Dhunoi 2 punonjës të një karburanti, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike njërit prej tyre, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari.
Punonjësi me dëme të shumta fizike ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të veprimeve procedurale për kapjen e një 26-vjeçari që dhunoi ditën e djeshme, 2 punonjësit e një karburanti në lagjen nr. 17/1, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin H. Gj., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas, më datë 23.03.2024, rreth orës 13:00, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me 2 punonjës të një karburanti në lagjen nr. 17/1, Durrës, ka goditur me përforcues grushti dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda fizike, njërit prej punonjësve të karburantit, shtetasit S. P., 62 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik”.