Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Drejtorin dhe Zv/Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Nr. 1, me ftesë të Drejtoreshës së gjimnazit morën pjesë në takimin e organizuar për sigurinë e nxënësve, jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë saj.
Drejtoresha e gjimnazit “Ismail Qemali”, Rezarta Alla, ka theksuar se prania e kaq shumë aktorëve, të cilët janë përgjegjës për sigurinë, na bën më optimistë dhe e bën më të lehtë punën tonë për të realizuar një proces të mësimdhënies sa më të qetë dhe të suksesshëm.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u është përgjigjur pyetjeve të shumta të adresuara nga nxënësit. Drejtor Veliu ka bërë prezent para tyre, stafit pedagogjik dhe bordit të prindërve prioritetet e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin e fenomeneve negative, për bashkëpunimin Polici – shkollë, bord i prindërve dhe oficer i sigurisë në shkolla, për trajtimin e konflikteve mes adoleshentëve dhe rolin e psikologut në Policinë e shtetit. Gjithashtu, ka premtuar se Akadamia e Sigurisë po përgatit oficerë të policisë kriminale, të cilët në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Drejtorinë Arsimore do të zhvillojnë takime në të gjitha shkollat 9-vjecare dhe të mesme për t’i njohur nxënësit me legjislacionin dhe penalitetet që sjell shkelja e ligjit.
Drejtori i DVP Tiranë Rebani Jaupi në fjalën e tij ka vlerësuar bashkëpunimin mes Policisë së Tiranës dhe drejtorive të shkollave për parandalimin e konflikteve mes adoleshentëve, si dhe ka ftuar nxënësit të denoncojnë në numrin 112 e në Komisariatin Dixhital çdo problematikë, sado e vogël qoftë ajo, se vetëm duke i trajtuar në kohë parandalojmë përshkallëzimin e tyre. Jaupi i ka cilësuar të rinjtë si një ditare e hapur për të bashkëpunuar me Policinë dhe u premtoi atyre se Policia e Tiranës do jetë në çdo kohë prezente për t’u ardhur në ndihmë në rast nevoje, por edhe për të zhvilluar mes Policisë dhe shkollës aktivitete të përbashkëta në interes të rritjes së parametrave të sigurisë.
Anisa Ruseti, Nënkryetare e Bashkisë Tiranë ka falënderuar Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe ka ftuar nxënësit që të denoncojnë në numrin 116, numri që është në dispozicion për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo shqetësim ose të flasin me mesuesin dhe oficerin e sigurisë.
Edlira Jorgaqi, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Prindërve dhe Kryetare e Këshillit të Prindërve të shkollës dhe Ylvi Aga, Kryetar i Bordit të shkollës e kanë vlerësuar takimin si mjaft të domosdoshëm për të përcjellë tek nxënësit në mbarë vendin mesazhin që ata nuk janë vetëm, por janë të mbrojtur nga një sërë institucionesh shtetërore që punojnë për këtë qëllim.
Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i DVP Tiranë kanë lënë shënim në librin e përshtypjeve të shkollës.