Raporti i ngjarjeve, 16,17,18 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Tiranë

Finalizohet nga Seksioni i Kërkimit, operacioni policor i koduar “Potenza”.

I akuzuar nga autoritetet italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 38-vjeçar.

Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Potenza”.  

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në rrugën “Perlat Rexhepi” dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin E. F., 38 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Potenza, Itali, i ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.         

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Vau i Dejës

Tentoi të vriste 2 shtetas (nënë e bir), për motive të dobëta, duke i përplasur me automjet, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.

Sekuestrohet automjeti që drejtonte 38-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, 2 shtetas që po kalonin në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.  

Në përfundim të veprimeve të kryera në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi M. M., 38 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.   

Ky shtetas, më datë 15.03.2024, në Bushat, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë, duke i përplasur me automjetin që drejtonte, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, 2 kolegët e tij, shtetasit D. N., 60 vjeçe dhe K. N., 32 vjeç (nënë e bir), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. 

Automjeti që drejtonte shtetasi M. M. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër

U kap në flagrancë duke vjedhur në një lokal, vihet në pranga 28-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal për vjedhje.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka vjedhur edhe një çantë me një shumë parash, në një automjet, pasi ka thyer xhamin. 

Sekuestrohen dorashka, 1 elektrik dore, produkte ushqimore dhe një shumë parash, që dyshohet se janë vjedhur nga ky shtetas, si dhe automjeti që ai përdorte.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin: 

E. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm kriminal për veprën penale “Vjedhja”.     

Ky shtetas është kapur në flagrancë, në vendin e quajtur “Liqeni i Viroit”, duke vjedhur në një lokal, një shumë parash dhe produkte ushqimore.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka thyer xhamin e një makine dhe ka vjedhur një çantë dore brenda së cilës kishte 5 000 lekë.         

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti që ky shtetas përdorte, 1 elektrik dore, dorashka, produkte ushqimore dhe një shumë parash. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk.

Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.

Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.

Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Posedonte fara cannabisi dhe doza të kësaj lënde, me qëllim shitjen, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 28-vjeçari.   

Sekuestrohen farat dhe dozat e cannabisit, si dhe një mjet prerës thikë, që iu gjetën këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë.   

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike, në lagjen “Kushtrimi”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.   

Si rezultat, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 28 vjeç, banues në Vlorë.   

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike cannabis sativa, të ndara në doza, gati për shitje, fara të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe 1 mjet prerës thikë.  

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 28-vjeçari, pasi siguronte lëndën narkotike, e shiste atë në lagje të ndryshme të Vlorës.           

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.   

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet me homologët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, finalizohen në Itali, 2 operacione policore të koduara “Rimbursimi” dhe “Filiali”.  

Gjithashtu, falë bashkëpunimit, është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 4 vjet burgim.

-Gjatë operacionit “Rimbursimi” është lokalizuar dhe vënë në pranga një shtetas italian i kërkuar për krijim të kompanive fiktive, me qëllim përfitimin e rimbursimit. 

-Gjatë operacionit “Filiali”, Policia italiane, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës,  lokalizoi dhe vuri në pranga një shtetas të dënuar për vjedhjen e një shumë parash në filialin e një banke.  

Është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi italian S. C., 52 vjeç, banues në Itali. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme”,  “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Shtetasit S. C., A. D. dhe S. C., në bashkëpunim me shtetasit shqiptarë I. Q. dhe E. B., kishin krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare.  

-Po falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit, Policia italiane lokalizoi dhe vuri në pranga me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasin Sebastian Varaku alias Ervin Varaku, 38 vjeç, banues në Shijak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 vjet e 8 ditë burgim. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 7 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, kryer në bashkëpunim.

Në vitin 2015, në Shijak, Durrës, një shtetas i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe ka marrë një sasi parash. Nga hetimet rezultoi se autor i kësaj vepre penale ka qenë shtetasi Sebastian (Ervin) Varaku.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve drejt vendit tonë.

Gjithashtu, falë bashkëpunimit, u ekstradua nga Italia drejt vendit tonë, shtetasi Elmir Dashi, 40 vjeç, pasi në vitin 2018, Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formulareve”, kryer  bashkëpunim.

DVP Gjirokastër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni 1”. 

U kapën në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihen në pranga 2 shtetas.  

Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informaciove të siguruara në rrugë policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni 1”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

N. N., 36 vjeç, banues në Krujë dhe E. C., 30 vjeç, banues në Lezhë.

Shtetasi N. N. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në dalje të qytetit të Këlcyrës, duke transportuar me automjet, kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga vendet MENA, nga Hani i Hotit, Shkodër, në drejtim të pikës së kalimit kufitar “Tre Urat”, Përmet, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për kontroll, por braktisi automjetin dhe u largua.   

Shtetasit E. C. dyshohet se qarkullonte me automjetin tip “Toyota”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar shtetasin N. N., për prezencë të shërbimeve të Policisë.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet dhe 2 celularë. 

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Shkodër/Reagim i menjëhershëm ndaj kallëzimeve të qytetarëve, për të garantuar liritë dhe të drejtat e tyre, si dhe sundimin e ligjit në territor.

Kanoste dhe shantazhonte nëpërmjet celularit, një 21-vjeçare, për t’i dhënë para, kapet dhe vihet në pranga 22-vjeçari.

22-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që do të merrte një shumë parash, e cila u sekuestrua si provë materiale. 

Sapo ka marrë kallëzim se një shtetase shantazhohej për të dhënë para, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër ka organizuar punën për të arrestuar autorin. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Farkë, është kapur në flagrancë, në një vendparkim automjetesh në Tiranë, në momentin që do të merrte një shumë parash nga 21-vjeçarja, shtetasi:

G. D., 22 vjeç, banues në Elbasan. 

Shuma e parave u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, si provë materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Shkodër

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar.     

Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi L. Gj., banues në fshatin Ishull, Shëngjin, Lezhë, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent.  

Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor. Gjithashtu, u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Audi” dhe do nisin procedurat e konfiskimit.

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Në vitin 2020, qëlloi me armë zjarri në drejtim të banesës së një shtetasi, lokalizohet dhe ndalohet 33-vjeçari.

Në zbatim të planit të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për goditjen e veprimtarive kriminale të ndryshme, shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin N. K., 33 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”. 

Nga hetimet dyshohet se më datë 08.01.2020, shtetasi N. K. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit N. M. Si pasojë, është vrarë kafsha shtëpiake (qen) që ishte në oborrin e banesës së shtetasit N. M..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.

Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Sekuestrohen doza lënde narkotike kanabis, gati për shitje, vihet në pranga 31-vjeçari që i posedonte. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të  megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacione se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në doza, në Kombinat, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.  

Si rezultat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Kombinat, kapën shtetasin E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në Kombinat.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza lënde narkotike kanabis, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit E. N. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër

-Në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 shtetas dhe u dëmtuan rëndë 2 të tjerë, specialistët për Trafikun Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit tip “BMW” të përfshirë në këtë aksident, shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër vunë në pranga shtetasin S. S., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe i ka dëmtuar derën e banesës ish-bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 153 shtetas, konkretisht: 36 shtetas janë vënë në pranga, 105 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është kryer një vrasje me autor/ë ende të paidentifikuar. Gjithashtu, është kryer një tentativë për vrasje, për të cilën është arrestuar 1 shtetas.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 18 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 18 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 12 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 20 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike dhe i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Dhunimi i banesës”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i krimeve ekonomike, falsifikimit, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Fyerja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 7 shtetas në total të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, është ndaluar.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas kanë humbur jetën dhe 15 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 37 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 15 shtetas janë vënë në pranga dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.