Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet me homologët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, finalizohen në Itali, 2 operacione policore të koduara “Rimbursimi” dhe “Filiali”.
Gjithashtu, falë bashkëpunimit, është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 4 vjet burgim.
-Gjatë operacionit “Rimbursimi” është lokalizuar dhe vënë në pranga një shtetas italian i kërkuar për krijim të kompanive fiktive, me qëllim përfitimin e rimbursimit.
-Gjatë operacionit “Filiali”, Policia italiane, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, lokalizoi dhe vuri në pranga një shtetas të dënuar për vjedhjen e një shumë parash në filialin e një banke.
Është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi italian S. C., 52 vjeç, banues në Itali. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Shtetasit S. C., A. D. dhe S. C., në bashkëpunim me shtetasit shqiptarë I. Q. dhe E. B., kishin krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare.
-Po falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit, Policia italiane lokalizoi dhe vuri në pranga me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasin Sebastian Varaku alias Ervin Varaku, 38 vjeç, banues në Shijak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 vjet e 8 ditë burgim. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 7 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, kryer në bashkëpunim.
Në vitin 2015, në Shijak, Durrës, një shtetas i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe ka marrë një sasi parash. Nga hetimet rezultoi se autor i kësaj vepre penale ka qenë shtetasi Sebastian (Ervin) Varaku.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve drejt vendit tonë.
Gjithashtu, falë bashkëpunimit, u ekstradua nga Italia drejt vendit tonë, shtetasi Elmir Dashi, 40 vjeç, pasi në vitin 2018, Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formulareve”, kryer bashkëpunim.