Rinas/Si rezultat i kontrolleve të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe i përdorimit të mjeteve bashkëkohore për ekzaminimin e dokumenteve, goditen 2 raste të tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente të falsifikuara.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas turq që tentuan të dilnin nga Shqipëria, me pasaporta greke të falsifikuara.
Sekuestrohen pasaportat false dhe biletat e udhëtimit.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i përdorimit të mjeteve bashkëkohore për ekzaminimin e dokumenteve, bazuar në analizën e riskut, kanë goditur 2 raste të tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente të falsifikuara. Për këto dy raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit turq:
M. S., 38 vjeç dhe D. A., 26 vjeç, të dy banues në Turqi.
Këta shtetas kanë paraqitur në sportel, në dalje, pasaporta greke me të dhënat e tyre, të cilat pas ekzaminimit në laborator, rezultuan të falsifikuara. Pasaportat false dhe biletat e udhëtimit të këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.