Durrës/Strukturat e DVP Durrës, të angazhuara maksimalisht për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga 6 shtetas, autorë të dyshuar për vjedhje të ndryshme.
✅Njëri nga të arrestuarit, i dyshuar si autor i 3 rasteve të vjedhjeve në banesa, në 2 lagje të Durrësit.
Si rezultat i hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e vjedhjeve në banesa/subjekte të ndryshme në territorin e qarkut, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin J. N., 36 vjeç, banues në Ohër.
Ai u kap në flagrancë teksa vidhte pajisje në një banesë në lagjen nr. 17/1. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se më datat 04.03.2024 dhe 06.02.2024, ka vjedhur pajisje në 2 banesa të tjera në lagjen nr. 3.
✅Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 34 vjeç, banues në Roskovec, pasi është larguar pa paguar, nga karburanti ku kishte furnizuar automjetin, me naftë.
✅Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak vunë në pranga shtetasit E. Sh., 35 vjeç, E. C., 20 vjeç, A. N., 30 vjeç dhe I. D., 34 vjeç, pasi dyshohet se kanë vjedhur materiale, në një hekurudhë në ndërtim.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.