Raporti i ngjarjeve, 8,9,10,11 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër/Konstatohet dhe goditet një rast i veprimtarisë kriminale të gërryerjes së shtratit të lumit Drin, me qëllim marrjen e inerteve.

U kapën në flagrancë, teksa merrnin ilegalisht inerte me ekskavator dhe i transportonin me kamionë, arrestohet pronari i subjektit ekonomik dhe procedohen penalisht 2 punëtorë.

Sekuestrohen 1 ekskavator dhe 2 kamionë të mbushur me inerte.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të gërryerjes së shtratit të lumit Drin, me qëllim nxjerrjen e kundërligjshme të inerteve, kanë kapur në flagrance shtetasit Sh. D., B. D. dhe S. A., teksa kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi Sh. D., 33 vjeç, pronari i subjektit ekonomik, për llogari të të cilit merreshin inertet. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 punëtorë të këtij subjekti, konkretisht shtetasit B. D., 39 vjeç dhe S. A., 25 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 1 ekskavator dhe 2 kamionë të mbushur me inerte.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë

Mashtronte qytetarët në Instagram, për mundësi punësimi jashtë shtetit, në emër të kompanive të huaja fiktive, identifikohet, kapet dhe arrestohet 24-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, menjëherë pasi një gazetare e emisionit “Piranjat”, ka kallëzuar se nëpërmjet një llogarie në Instagram, në të cilën reklamoheshin mundësi punësimi në shtete të tjera, mashtroheshin qytetarë, kanë organizuar punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin/ët.

Si rezultat u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. Ç., 24 vjeç, banues në Korçë.

24-vjeçari mashtronte qytetarët, kundrejt pagesave, me kontrata pune false, në emër të kompanive angleze fiktive. Pasi merrte paratë, ai ndërpriste komunikimet, pa ofruar shërbimin për të cilin ishte paguar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer më shumë se një herë, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

DVP Vlorë

•I vodhi 40 000 lekë një shtetasi në rrugë, identifikohet dhe arrestohet 17-vjeçari.

I mituri, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se në lagjen “1 Maji”, në rrugë, i kishin vjedhur një shumë parash, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, një shtetasi 17 vjeç, banues në Vlorë.

•Specialistët e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., 29 vjeç, banues në Delvinë, pasi mëngjesin e sotëm, automjeti që drejtonte ky shtetas, ka përplasur këmbësoren, shtetasen Sh. H., 58 vjeçe, e cila si pasojë e dëmtimeve, ka humbur jetën, në spital.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive, për veprime të mëtejshme.

PKK Morinë

Tentoi të fuste në Shqipëri, pa deklaruar, rreth 20 000 euro, procedohet penalisht 40-vjeçari nga Kosova.

Sekuestrohet shuma monetare.

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë,  në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues  shtetasin B. S..

Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 20 000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.   

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar B. S., 40 vjeç, banues në Mitrovicë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.  

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. 

Gjirokastër

Transportonin goma automjetesh që dyshohet se janë futur ilegalisht, nga Greqia në Shqipëri, arrestohen 2 drejtues të një autobusi.

Në pranga dhe një doganier i PKK Kakavije, nga ku dyshohet se janë futur këto mallra.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se 2 shtetas transportonin me autobus, goma automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vunë në pranga drejtuesit e autobusit, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe K. K., 46 vjeç, banues në Berat.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhjetëra goma automjetesh, autobusi me të cilin transportoheshin dhe 2 celularë.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga dhe shtetasi E. Xh., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në PKK Kakavije, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, nuk ka kontrolluar autobusin me të cilin transportoheshin mallrat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Kurbin

Plagosi me armë zjarri, një 25-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, mbërritja e menjëhershme e Policisë mundëson arrestimin në flagrancë të autorit.

Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit pistoletë, me të cilën u krye plagosja.

Rreth orës 12:00, sapo janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri, në hyrje të Mamurrasit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të kapur përgjegjësin/t.

Si rezultat u bë kapja e menjëhershme në flagrancë dhe vënia në pranga e shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. N., 25 vjeç, banues në Mamurras. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.

I plagosuri po transportohet në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Kapshticë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Again”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni i finalizuar pas hetimeve 1-vjeçare, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.

Sekuestrohen 51 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 6 celularë dhe 5 automjete.

Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike, që dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij, në drejtim të Greqisë.

Vihen në pranga edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar të tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore 1-vjeçare të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Again”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ky shtetas drejtonte. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë,  përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit J. S., u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.

Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë E. M., dhe S. S.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Krujë/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Krujë.

Sekuestrohen 3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me qëllim shitjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”.

Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Hida”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve  A. Sh., 39 vjeç, dhe A. Gj., 30 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta dy shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjet, një thes brenda të cilit kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë 3 kg.

Lënda narkotike, së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Tepelenë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Furnitori”. Sekuestrohen 6 kg lëndë narkotike cannabis (një pjesë në doza), një sasi farash cannabisi dhe 2 celularë.

Zbulohet një lokal në fshatin Krahës 1, i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një 35-vjeçar i cili siguronte cannabisin që shitej në këtë ambient.

Punohet për kapjen e një shtetasi tjetër të implikuar në këtë rast.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, se disa shtetas përdornin dhe shitnin drogë, në një lokal në fshatin Krahës 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Furnitori”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Krahës 1.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. Ç. siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, me qëllim përdorimin dhe shitjen në lokalin në pronësi të 39-vjeçarit.

Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit A. Ç., u gjet dhe një sasi farash cannabisi, që posedoheshin me qëllim shitjen.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u identifikua si bashkëpunëtor në këto veprimtari kriminale, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Krahës 1. Punohet intensivisht për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Goditet një tjetër bazë që shërbente për furnizimin me armë dhe municion të grupeve kriminale.

Falë inteligjencës policore të siguruar nga strukturat hetimore të DVP Durrës  dhe një hetimi proaktiv disamujor  nën drejtimin e Prokurorisë u finalizua operacioni policor i koduar “Hills”, në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.

Sekuestrohen 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 4 celularë, 1 motomjet, një sasi lënde e dyshuar cannabis dhe një shumë parash.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj armëmbajtjes pa leje dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale, specialistët e Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, bazuar në inteligjencën policore, për dy shtetas që mbanin një sasi armatimi të fshehur dhe ua shitnin grupeve kriminale, referuan materialet në Prokurori e cila regjistroi procedimin penal.

Si rezultat i hetimit disamujor me metoda proaktive dhe në drejtimin e Prokurorisë, u siguruan prova ligjore mbi veprimtarinë kriminale të mbajtjes së një sasie armatimi, me qëllim furnizimin e grupeve kriminale.

Në këtë kuadër dhe në zbatim të planit operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Hills”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë në fshatin Shkallnur, duke shitur armë zjarri luftarake kallashnikovë, shtetasit H. T., 20 vjeç dhe E. P., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, Durres.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë muajve të fundit, kanë shitur sasi armatimi dhe municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1  motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen,  63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë

Në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Udhëtarët”.

Transportuan me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, një armë zjarri kallashnikov, me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov me bajonetë, dhe një mjet prerës thikë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas që udhëtonin me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, dyshohej se po transportonin një armë zjarri kallashnikov, me qëllim shitjen e saj në Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Udhëtarët”.

Si rezultat këtij operacioni, te terminali i autobusëve në afërsi të Casa Italias, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. P., 28 vjeç, banues në Yzberisht, dhe F. P., 27 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit të çantës personale të cilën këta shtetas mbanin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov me bajonetë, dhe një mjet prerës thikë. Arma e zjarrit ishte sjellë nga Pogradeci në Tiranë, për tu shitur tek persona të tjerë.

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lushnjë

Kontrollet në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, zbulojnë 2 lokale të tjera ku viheshin baste sportive, me celularë.

Procedohen penalisht 2 pronarët e lokaleve dhe 2 shtetas që u kapën duke luajtur.

Sekuestrohen 4 celularë me faqe aktive bastesh në ta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në lagjet “Kongresi” dhe “Loni Dhamo”, viheshin baste sportive, me celularë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për 2 pronarët e lokaleve, shtetasit F. T., 56 vjeç dhe R. Ç., 29 vjeç, si dhe për 2 shtetas që u kapën duke vënë baste në këto ambiente, B. B., 56 vjeç dhe M. T., 65 vjeç, të katërt banues në Lushnjë.

Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale celularët e këtyre shtetasve, të cilët kishin faqe online aktive, për vënie bastesh sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme me partnerët spanjollë, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim për llogari të 2 shteteve.

Finalizohet nga Policia e Spanjës, pas sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit, operacioni policor i koduar “Four”.

I dënuar me 4 vjet burgim, si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të kryera gjatë vitit 2019, vihet në pranga 34-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me partnerët spanjollë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, nga autoritetet në Shqipëri.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ka mundësuar finalizimin në Spanjë, të operacionit policor të koduar “Four”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Lutfi Xeka, 34 vjeç.

Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Lutfi Xeka, në bashkëpunim me 11 të tjerë, kanë kultivuar 671 bimë narkotike cannabis sativa. Veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve është goditur nga Policia, në 3 raste gjatë vitit 2019.

Vijon puna për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Tiranë/Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, finalizohet operacioni policor i koduar “Hand”. 

Në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe kanë vënë përpara përgjegjësisë penale, autorët e një vjedhje të kryer në një biznes, në autostradën Tiranë-Vorë. 

Procedohen penalisht 4 shtetas të mitur. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak, që u gjet në banesën e njërit prej këtyre shtetasve. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pasi kanë siguruar informacione për 4 shtetas të mitur, të cilët dyshohet se kryenin vjedhje të ndryshme, si dhe njëri prej tyre mbante në banesë, armë zjarri, dhe publikonte foto të saj në rrjete sociale, kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve dhe vënien e autorëve të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale. 

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Hand”, si rezultat i të cilit u proceduan penalisht 4 të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç.    

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa pjesë automjetesh, në një biznes, në autostradën Tiranë-Vorë.

Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej 14-vjeçarëve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, me krehër e municion luftarak, të cilën ky shtetas e publikonte dhe në rrjete sociale.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Sukth, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hills 2”.

Zbulohet një tjetër bazë që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak.

Sekuestrohen kallashnikov, granatë, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Vihet në pranga pronari i banesës.

2 ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh.

Në kuadër të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e përdorimit të tyre nga kontigjenti kriminal, për ngjarje të rënda, specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, të mbështetur te informacionet e inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hills 2”.

Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Dropull/Puna hetimore profesionale e specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër zbardh vjedhjen e kryer më datë 06.03.2024, në Qafë Muzinë, dhe identifikon 4 autorët e dyshuar.

Kapen në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe vihen në pranga 4 autorët e dyshuar.    

2 nga të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal për vjedhje të kryer në bashkëpunim.  

Sekuestrohen 14 kuajt e vjedhur dhe kamioni me të cilin këta shtetas i transportuan kuajt, në drejtim të Sarandës. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetase, se i kishin vjedhur disa kuaj, në biznesin e saj, në Qafë Muzinë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.     

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe i bashkëpunimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:    

-R. Ç., 40 vjeç, banues në Lukovë, Sarandë;  

-A. R., 22 vjeç, banues në fshatin Shën Vasil, Himarë; 

-N. M., 39 vjeç dhe R. Th., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Nivicë, Himarë, të dy me precedent të mëparshëm kriminal për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Qafë Muzinë, 14 kuaj, të cilët më pas i kanë transportuar me një kamion, në drejtim të Sarandës.       

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kuajt e vjedhur dhe kamioni.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 96 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 298 shtetas, konkretisht: 84 shtetas janë vënë në pranga, 192 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 22 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 43 raste- 17 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 33 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 3 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 23 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra në këtë fushë, janë kapur. Më tej, janë kryer 2 tentativa për vrasje, me 2 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 18 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 13 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 20 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 18 shtetas janë vënë në pranga, 9 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 30 raste – 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 35 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 14 raste- 4 shtetas janë vënë në prang dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 22 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-6 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të vënies së basteve sportive, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të falsifikimit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kompjuterike, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas;

-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Braktisja e fëmijës së mitur”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Dhunimi i banesës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Keqtrajtimi i kafshës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 16 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

4 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” (2), “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Vetëgjyqësia”, janë kapur.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 17 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 24 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 57 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 21 shtetas janë vënë në pranga dhe 40 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.