Krujë/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Krujë.
Sekuestrohen 3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Hida”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Sh., 39 vjeç, dhe A. Gj., 30 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta dy shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjet, një thes brenda të cilit kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë 3 kg.
Lënda narkotike, së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.