Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Fier/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Run”.
U kapën në flagrancë në fshatin Fermë Çlirim, me 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak, vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër).
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, municioni luftarak dhe 2 automjete të blinduara në pronësi të dy vëllezërve.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Fier, si dhe specialistët e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, dhe shërbimet e Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë FNSH, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Run”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë dhe kanë arrestuar shtetasit R. K., 25 vjeç, B. K., 24 vjeç (vëllezër) dhe B. A., 50 vjeç, të tre banues në fshatin Sulaj, Fier, pasi gjatë kontrollit iu kanë gjetur 2 armë zjarri pistoleta dhe një sasi fishekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në momentin që kanë parë shërbimet e Policisë, këta shtetas kanë tentuar t’i fshehin armët e zjarrit,duke i hedhur në një zonë me bimësi. Njëra prej armëve u konstatua ne një çantë që e mbante shtetasi B. A.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 2 automjete të blinduara, që u gjetën gjatë kontrollit në subjektin (karburantin) e 2 vëllezërve.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Elbasan
Zbardhet një vjedhje në banesë, e kryer 2 ditë më parë.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar. Arrestohet njëri prej tyre (i dënuar më parë, për vjedhje) dhe vijon puna për kapjen e tjetrit.
Procedohet penalisht 28-vjeçari që bleu pajisjet e vjedhura.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas denoncimit për vjedhje në një banesë në lagjen “Partizani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan identifikuan autorët e rastit, kapën dhe vunë në pranga njërin prej tyre, shtetasin E. B., 32 vjeç, si dhe po punojnë për ndalimin e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit N. L., 27 vjeç, të dy banues në Elbasan.
2 shtetasit, dyshohet se më datë 28.02.2024, kanë vjedhur pajisje në banesën e shtetasit V. S.
Shërbimet e Policisë gjetën pajisjet e vjedhura, të cilat ishin blerë nga shtetasi D. K., 28 vjeç. Për këtë arsye, për 28-vjeçarin filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Finalizohen procedurat e ekstradimit të 4 shtetasve, të dënuar/akuzuar nga autoritetet në Shqipëri dhe në Spanjë, për •armëmbajtje pa leje, •kultivim, prodhim dhe shitje narkotikesh, si dhe •për fshehje të ardhurash.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet zyrave të Interpolit në Tiranë, Romë, Berlin dhe Madrid, janë finalizuar procedurat për ekstradimin e shtetasve:
-Salvatore Salozzo, 31 vjeç, lindur në Itali. Ai u ekstradua nga Italia në Shqipëri, pasi është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. 31-vjeçari ka fshehur të ardhurat e shoqërisë tregtare të tij dhe nuk i ka paguar detyrimet tatimore shtetit shqiptar;
-Renald Lleshi (Canaj), 29 vjeç. Ai u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri, pasi është dënuar nga Gjykata e Sarandës, me mbi 3 vjet burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”. Më datë 29.08.2017, në Sarandë, 29-vjeçari bashkëpunoi për plagosjen me armë zjarri, të 3 shtetasve, ndërsa në banesë iu gjetën 9.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa;
-Njazi Kulla, 28 vjeç. Ai u ekstradua nga Luksemburgu në Shqipëri, pasi është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 28-vjeçari duhet të vuajë dhe rreth 2 vjet burgim, nga ky dënim;
-L. Ll., 48 vjeç, lindur në Vlorë. Ai u ekstradua nga Shqipëria në Spanjë, pasi Gjykata e Barcelonës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Spanjës.
Bashkëpunimi me partnerët europianë dhe jo vetëm, vijon, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të ndaluar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale të ndryshme.
Port, Durrës
U ndotën ujërat në akuariumin e portit, për shkak të një defekti në anijen që kanë në përgjegjësi, procedohen penalisht 3 shtetas të huaj, përkatësisht kapiteni, kryemekaniku dhe mekaniku i dytë.
Sipërfaqja ujore e ndotur u pastrua nga shërbimet e agjencisë përgjegjëse.
Menjëherë pas njoftimit për ndotje të ujërave në kalatën nr.7 të portit të Durrësit, specialistët e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ata të Kapitenerisë së Portit, IKMT-së dhe të mjedisit, kryen verifikimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.
Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, për shtetasit P. L., 48 vjeç, banues në Rusi, A. S., 35 vjeç, banues në Rumani dhe V. F., 63 vjeç, banues në Rusi.
Procedimi penal për këta shtetas nisi sepse nga verifikimet rezultoi se ndotja e ujërave ishte shkaktuar nga çarja e tubit të presionit të vajit, të anijes tregtare, në të cilën shtetasi P. L. është kapiten, shtetasi A. S. është kryemekanik, ndërsa shtetasi V. F. është mekanik i dytë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. Evidentohen 5 raste të tjera të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë që u kapën në flagrancë në disa lokale, duke vënë baste sportive, me celularë.
Sekuestrohen 5 celularë që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës. Si rezultat, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, në lagjet nr. 9 dhe 12, Korçë, si dhe në fshatin Mborje, janë goditur 5 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit G. S., 53 vjeç; B. T., 43 vjeç banues në Korçë dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. P., 64 vjeç, K. N., 51 vjeç banues në Korçë dhe L. M., 23 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të ushtruara konkretisht, në lagjen nr. 12, konstatuan shtetasin G. S., duke vendosur baste sportive nëpërmjet telefonit. Në lagjen nr. 9, në një lokal shtetasit B. T., iu gjet në celularin e tij, një faqe që shërben për vendosjen e basteve sportive, ndërsa shtetasve P. P. dhe K.N., iu gjetën foto të basteve të vendosura, në celularët e tyre. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në fshatin Mborje, shtetasit L. M., iu gjetën në celularin e tij, aplikacione për vënien e basteve sportive.
5 celularët e këtyre shtetasve që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 70 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për një tentativë për vrasje është arrestuar 1 shtetas tjetër.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 9 raste, 4 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetëror, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Prostitucioni”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Vepra të turpshme” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, është kapur dhe ndaluar.
Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.