Raporti i ngjarjeve, 13 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 29-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shkon 52 numri i shtetasve të vënë në pranga në kuadër të këtij megaoperacioni, në nivel qarku.

Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin Xh. H., 29 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. 

Vlorë/Vijojnë kontrollet dhe puna e inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.

Goditet një rast i përdorimit të kartëmonedhave të falsifikuara. Sekuestrohen 2500 euro të dyshuara të falsifikuara, 120 400 lekë, 1 automjet dhe 4 celularë.

Identifikohen, kapen dhe arrestohen 2 shtetasit që posedonin kartëmonedhat euro të falsifikuara, të cilët dyshohet se i përdornin ato për të blerë në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës.  

Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër që kishte djeni për veprimtarinë kriminale të 2 të arrestuarve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se dy shtetas dispononin kartëmonedha të falsifikuara dhe po i përdornin në disa subjekte të ndryshme në qytetin e Vlorës, organizuan punën në bashkëpunim me shërbimet e Forcën së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e tyre. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan shtetasit A. A., 23 vjeç, banues në Dibër dhe D. A., 22 vjeç, banues në Fier.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, për të blerë produkte në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës.    

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u refruan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. V., 21 vjeç, pasi dyshohet se kishte djeni për veprimtarinë kriminale të 2 shtetasve tashmë të arrestuar. 

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2500 euro të dyshuara të falsifikuara, 120 400 lekë, 1 automjet tip “BMË” dhe 4 celularë.  

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Customer”. 

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, krehër dhe municion luftarak, vihet në pranga poseduesi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, së në një lokal në Mullet, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Customer”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L. Ç., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në Mullet, shtetasin L. Ç., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë dhe krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

DVP Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë vunë në pranga shtetasin I. A., 41 vjeç, banues në Kavajë, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur disa pajisje, në një biznes në Golem.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës vunë në pranga shtetasin A. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se do të shfrytëzonte për prostitucion, një shtetase 40 vjeçe.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.  

Finalizohet operacioni policor i koduar “Part of”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  

I dënuar në Itali, me mbi 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 39-vjeçari.     

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Part of”. 

Gjatë operacionit, në lagjen “10 Korriku”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Henerik Boba alias Ermal Hitaj, 39 vjeç.

Gjykata e Firences e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.   

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

DVP Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. P., 31 vjeçe, pasi ka kallëzuar bashkëshorti i saj, shtetasi A. P., 32 vjeç, banues në fshatin Stajkë, se kjo shtetase ka marrë në mënyrë të padrejtë, vajzën e tyre 9 vjeçe.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. (Z.) Sh., 46 vjeç, banues në fshatin Qerret, Velipojë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa sende personale, në banesën e një 30-vjeçari, në fshatin Reç i Ri.

Në Postën e Policisë Velipojë ka kallëzuar shtetasi E. K., 72 vjeç, banues në Shkodër, se më datë 11 shkurt 2024, i kanë vjedhur në banesë, disa materiale (pllaka). Punohet për verifikimin e këtij kallëzimi dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Ka ndodhur një tentativë për vrasje në Tiranë, me autor të shpallur në kërkim. Për një tentativë për vrasje në Shkodër, është ndaluar në Gjermani, autori i dyshuar.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, “Përndjekja” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprimtarive kriminale në fushën e prostitucionit, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, vjedhjes së energjisë elektrike, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.