Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për zbardhjen e vjedhjeve të pronës, ndodhur muajt e fundit në qytetin e Durrësit. Zbardhjen 8 raste të vjedhjeve të biçikletave dhe të një zyre. Operacioni nga Komisariati i Policisë Durrës. Vihet në pranga autori i dyshuar i këtyre vjedhjeve. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Stacioni”, duke bërë të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes së pronës. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: D. Sh., 40 vjeç, banues në lagjen Nr. 6 Durrës. Nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas është autor i dyshuar i një sërë vjedhjeve të biçikletave dhe të një zyre, të ndodhura gjatë muajve të fundit, në qytetin e Durrësit dhe konkretisht: Më datë 11.09.2019, në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se ka vjedhur biçikletën në banesën e shtetasit A. H; Më datë 20.09.2019, në lagjen Nr. 10, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit Q. T; Më datë 20.09.2019, në lagjen Nr. 11, Durrës, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit R. Ll; Më datë 04.10.2019, në lagjen Nr. 14, Durrës, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit S. B; Më datë 06.10.2019, në lagjen Nr. 4, Durrës, dyshohet se ka vjedhur banesën e shtetasit F. A., ku ka marrë disa vegla pune dhe një biçikletë me vlerë 50 000 lekë; Më datë 28.07.2019, në lagjen Nr. 6, Durrës, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit A. C; Më datë 14.08.2019, në lagjen Nr. 3, Durrës, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit I. V. Po ky shtetas dyshohet se është autor i vjedhjes së zyrës së veteranëve, ndodhur në datën 13.09.2017, në lagjen Nr. 2, Durrës, ku ka vjedhur dhe më pas i ka shitur orenditë dhe dritaret e kësaj zyre. Vijon puna për dokumentimin edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra penale të ndryshme. Arrestohet një 51-vjeçar, për shpërndarje të drogave të forta në doza të vogla. Kapet në flagrancë në tentativë për të vjedhur një 20-vjeçar, i cili ishte dhe me masë sigurisë “Arrest shtëpie”. Ndalohet dhe 1 shtetas në kërkim, i dënuar për vjedhje. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin R. P., 51 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, ku ky shtetas punonte si banakier, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 doza me lëndë narkotike, e llojit kokainë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, falë informacioneve të marra nga qytetarët kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili po tentonte të vidhte materiale ndërtimi në ambientet e një magazine. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 20-vjeçari ka shkelur dhe masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin E. P., 31 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për vjedhje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Egnatia”, për zbardhjen e vjedhjeve të banesave. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 1. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas, i dyshuar si autor i 4 rasteve të vjedhjes së banesave. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura në banesa dhe mjete, të cilat dyshohet se i përdorte për realizimin e vjedhjeve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin policor të koduar “Egnatia”, në kuadër të të cilit kapën dhe ndaluan shtetasin G. T., 39 vjeç, banues në Tiranë. Specialistët për Hetimin e Krimit , bazuar në provat e grumbulluara, informacionet e mara në rrugë operative dhe veprimeve hetimore të kryera bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të 4 rasteve të vjedhjes së banesave nga ky shtetas dhe konkretisht: Më datë 06.11.2019, në rrugën “Ali Shefqeti”, në banesë, i ka vjedhur aparatin celular shtetasit I. A; Më datë 29.10.2019, në rrugën “Shaban Baxhaku”, ka vjedhur në banesën e shtetasit A. P; Më datë 23.10.2019, në rrugën “Dhimitër Kamarda”, ka vjedhur në banesën e shtetasit H. Z; Më datë 02.11.2019, në rrugën “Leandro Zoto”, ka vjedhur në banesën e shtetases Xh. Z. Këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: orë dore, dy varëse, dy çanta dore femrash, të vjedhura në banesa dhe pinca, kaçavidë, çekan e një çelës anglez, të cilat dyshohet se i përdorte për hapjen e banesave. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprën penale ‘”Vjedhja”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, konkretisht: 2 në Durrës dhe 2 në Lezhë,ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 7 raste, 2 në Durrës, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar në flagrancë 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan dhe 2 në Fier.
Janë proceduar 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.