DVP Tiranë
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe rastet e armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Drug bar”.
Vihen në pranga 4 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin lëndë narkotike në ambientet e një lokali në Kashar.
Sekuestrohen qindra doza kokaine, dhjetëra doza kanabisi, 1 armë zjarri pistoletë, 1 peshore elektronike, 5 maska, 4 shkopinj bejsbolli, celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Drug bar”, në kuadër të cilit kanë arrestuar shtetasit:
- A. H., 36 vjeç, Ç. H., 52 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe R. H., 21 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit A. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 150 doza kokaine, 60 doza kanabisi me THC të lartë, 1 peshore elektronike, 5 maska, 4 shkopinj bejsbolli, celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin lëndë narkotike në lokalin e 36-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.