Kavajë
Kreu dje, 3 vjedhje dhe 1 tentativë për vjedhje, në 4 biznese, në lagjen nr. 2, arrestohet 49-vjeçari i dënuar më parë, për të njëjtin krim.
Në vijim të patrullimeve në terren dhe bashkëpunimit me qytetarët, të intensifikuara gjatë muajit dhjetor, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, si dhe për arrestimin e shtetasve që kryejnë këtë krim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë administruan menjëherë kallëzimet për 4 raste vjedhjesh/tentativa për vjedhje, të kryera gjatë ditës së djeshme.
Si rezultat i veprimeve profesionale hetimore dhe procedurale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi Xh. Xh., 49 vjeç, banues në Kavajë.
Dje, 49-vjeçari, në lagjen nr. 2, dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe sende, në 3 biznese, si dhe ka tentuar të vjedhë, në një biznes tjetër.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi Xh. Xh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.