Raporti i ngjarjeve, 2,3,4 dhjetor, 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit-Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët spanjollë, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.Në kuadër të operacionit “Madridi”, u lokalizua dhe u arrestua në Madrid, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 49-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për vepra penale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të grupit kriminal.Si rezultat i sigurimit të inteligjencës policore, nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të saj, në kohë reale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, Policia spanjolle organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Madridi”.Në kuadër të këtij opeacioni u lokalizua dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi I. Z. alias L. S., 49 vjeç.Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në nëntor të vitit 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e shtetasit I. Z. alias L. S., në vendin tonë.

DVP Vlorë-Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.Bashkëpunëtor për pengmarrjen e një shtetasi dhe për plagosjen e tij me sende të forta, ndalohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim.Ndalimi i 40-vjeçarit, rezultat i koordinimit të informacioneve dhe bashkëpunimit ndërmjet Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Vlorë dhe Policisë së Lezhës.Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës, më datë 19.01.2023, si dhe i shkëmbimit të tyre me shërbimet e Policisë së Lezhës, u bë i mundur, në kuadër të operacionit policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, ndalimi i shtetasit A. N., 40 vjeç.Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë i ka caktuar 40-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim.Përmbledhja e rastit: Më datë 19.01.2023, shtetasi A. N. dhe 4 shtetas të tjerë (të arrestuar nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit “Pengmarrja”), për motive të dobëta, kanë mbajtur me forcë, në automjet, shtetasin G. O., e kanë plagosur atë rëndë, me sende të forta, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

PKK Kakavije/Si rezultat i kontrolleve të detajuara, nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave.Sekuestrohen 19 350 euro dhe procedohet penalisht 46-vjeçari që nuk i deklaroi paratë, në pkk, në dalje të RSh-së.Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi Y. Sh., në çantën e të cilit u gjetën 19 350 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. Sh., 46 vjeç, banues në Durrës.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Gramsh-Zbardhet ngjarja e ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Lënie, ku humbi jetën punëtori i një firme ndërtimi, për shkak se u dëmtua nga automjeti i firmës.Arrestohet drejtuesi i kamionçinës së firmës, i cili kreu manovra të gabuara me automjetin që dëmtoi 51-vjeçarin.Sekuestrohet kamionçina.Nga hetimet e thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, menjëherë pas ngjarjes që ndodhi dje, në fshatin Lënie, ku humbi jetën shtetasi F. V., 51 vjeç, pasi u dëmtua nga automjeti i firmës ku punonte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan shtetasin K. H., 53 vjeç, banues në fshatin Mollas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.Arrestimi i 53-vjeçarit u bë pasi rezultoi se gjatë procesit të punës për ndërtimin e një hidrocentrali, ka kryer manovra të gabuara me kamionçinën që drejtonte (automjet në pronësi të firmës së ndërtimit), dhe si pasojë është dëmtuar shtetasi F. V., 51 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti kamionçinë që dëmtoi shtetasin F. V.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Berat/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar arrestuan shtetasin E. M., 46 vjeç, banues në Çorovodë, pasi mbrëmjen e djeshme, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), vëllanë e tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. D.,  23 vjeç, banues në Berat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Gjithashtu, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin F. N., 33 vjeç, banues në Berat, i dënuar më parë për vjedhje, pasi ditën e djeshme, në një dyqan në lagjen “Çlirimi”, ka vjedhur 1 televizor dhe 1 printer.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Kurbin-Ndërtonte pa leje, në sheshin e qytetit të Laçit, për të zgjeruar biznesin e tij, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.Sekuestrohen materialet e ndërtimit.Si rezultat i patrullimeve në terren dhe i verifikimeve, të kryera me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë së ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë goditur një tjetër rast në këtë fushë, për të cilin u vu në pranga shtetasi E. Ç., 43 vjeç, banues në Tiranë.43-vjeçari u kap në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, teksa kryente punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, për të zgjeruar biznesin e tij (lokal), të cilin e kishte në sheshin qendror të qytetit të Laçit.Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, materialet e ndërtimit që do t’i shërbenin zgjerimit të biznesit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 188 shtetas, konkretisht: 58 shtetas janë vënë në pranga, 114 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 25 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas është vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 30 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 24 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 8 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 15 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 27 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-5 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:

-në fushën e falsifikimit të dokumenteve, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Keqtrajtimi i të miturit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, për të cilin vijojnë hetimet.

3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Ngacmimi seksual”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 18 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 41 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 21 shtetas janë vënë në pranga dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.