Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës-Kreu 3 vjedhje, gjatë 10 ditëve të fundit, në 3 lagje të ndryshme të Durrësit, identifikohet, kapet dhe arrestohet 32-vjeçari.Pas kallëzimeve për disa raste vjedhjesh, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën dhe në kuadër të operacionit policor “Sundimi i ligjit”, identifikuan, kapën dhe arrestuan shtetasin I. L., 32 vjeç, banues në Durrës.Nga hetimet rezultoi se 32-vjeçari:
-më datë 20.11.2023, ka vjedhur pajisje në një banesë në lagjen nr. 14;
-më datë 23.11.2023, në lagjen nr. 8, i ka vjedhur një send personal, shtetasit I. O.;
-më datë 28.11.2023, në lagjen nr. 17, i ka vjedhur celularin dhe një shumë parash, shtetases Z. Sh., 66 vjeçe. Pamjet e këtij rasti u transmetuan në portalin “JOQ”, më datë 28.11.2023.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi I. L.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.
DVP Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Repeat”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë.Vihet në pranga një 29-vjeçar, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 3 shtetas të tjerë (2 të arrestuar gjatë operacionit, 1 në kërkim), për t’i marrë një shumë parash një shtetasi, me anë të mashtrimit.Sekuestrohet 1 celular.Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Repeat”.Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit K. L., 29 vjeç, banues në Shkodër.Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit A. Gj. dhe R. B. (të arrestuar) dhe me shtetasin F. L. (në kërkim), për t’i marrë shumën 50 000 euro, një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësues të një personi publik.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 celular.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin H. T., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, gjatë kryerjes së detyrës.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
B. H., 49 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, Pogradec, pasi në fshat, dyshohet se ka goditur me send të fortë dhe me grushte një 41-vjeçar, për motive të dobëta;
A. B., 23 vjeç, banues në Pogradec, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka kanosur nëpërmjet telefonit, bashkëjetuesen e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje;
D. S., 51 vjeç, banues në fshatin Memëlisht, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, dyshohet se ka goditur me grushte një 45-vjeçar, për motive të dobëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit D. Z., 30 vjeç, banues në fshatin Krutje e Sipërme, pasi dyshohet se për të kryer një vjedhje në banesën e një 57-vjeçareje, e ka goditur atë, me grushte, dhe është larguar pa marrë asgjë.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. A., 26 vjeç, banues në Bitaj, Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një shtetas tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 58 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka vjedhur disa shpendë në pronësi të 2 shtetaseve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë arrestuan në flagrancë shtetasin M. N., 51 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë, pasi gjatë një konflikti ka goditur me sende të forta shtetasin P. N., 64 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë, i cili është në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar shtetasin P. B., 35 vjeç, banues në fshatin Golem, Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e një shtetasi të mitur, banues në Shkodër, pasi dyshohet se është autori i vjedhjes së një shume parash në një lokal në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste, 2 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kompjuterike, është evidentuar 1 rast, për të cilin 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, për këto veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, “Vetëgjyqësia” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.