Berat
I shiti Metadon, një shtetasi, kundrejt 3000 lekëve, në kundërshtim me ligjin/rregullat për tregtimin e këtij medikamenti, procedohet penalisht punonjësi i qendrës për shitjen e Metadonit, në Berat.
Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop”, të një rasti të shitjes së medikamentit Metadon, në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat për përdorimin e tij, me qëllim përfitimin e një shume parash (3000 lekë), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasin përgjegjës për këtë rast.
Si rezultat, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Sh., 50 vjeç, banues në Berat, punonjës i qendrës për shitjen e Metadonit, për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast të tillë, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.