DVP Korçë
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në Pogradec. Kishte vënë në dispozicion lokalin, për ushtrimin e këtij aktiviteti, vihet në pranga pronari i lokalit. Në pranga dhe 1 shtetas tjetër, për këtë rast.
U kapën duke transportuar sasi drush të prerë në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe veprimtarisë të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, arrestuan në flagrancë shtetasit P. J., 58 vjeç dhe Y. K., 61 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 3, Pogradec, në lokalin e 61-vjeçarit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin nga këta dy shtetas, për vënien e basteve sportive.
-Gjithashtu, në vijim të punës për goditjen e rasteve të prerjes së paligjshme të pyjeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Maliq dhe Kolonjë kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të tjera.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi D. H., 37 vjeç, banues në fshatin Beragozhd, Pogradec dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 62 vjeç, banues në Ersekë. Këta shtetas u kapën respektivisht në fshatin Sheqeras, Maliq dhe në unazën e qytetit të Ersekës, duke transportuar me automjete, sasi drush zjarri, të prera në mënyrë të paligjshme. Sasitë e druve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.